Ndihmësi i Gaddafit flet për ditët e tij të fundit

Ishte kolonel Gaddafi ai që vendosi të mos braktiste Libinë për të shkuar në azil në një vend të huaj, por në prag të kapitullimit të bastionit të fundit që kontrollonte, Sirtes, gjendja e tij psikologjike u bë gjithmonë e më e turbullt.
Këto janë fjalët e ndihmësit të afërt të diktatorit 69-vjeçar, i cili u ekzekutua muajin e shkuar, në atë që ishte kapitulli i fundit i një lufte civile disa-mujore.
”Në ditët e fundit, ai ishte shumë i shqetësuar dhe nisi të fliste përçart, kjo sepse ishte shumë i frikësuar”, thotë Mansour Daou, i cili e konsideron veten si “Kutia e Zezë” e ish-diktatorit.
”E vetmja dëshirë që kishte ishte të shkonte në Jaref, në fshatin e tij të lindjes, por i bëmë të qartë që ky ishte një udhëtim vetëvrasës, pasi nuk do të mund t’i përshkruante kurrë 20 kilometrat deri atje. Na u desh ta ndalonim disa herë. Mbase dëshironte të vdiste atje”, theksoi Daou.