Lila: Kemi obligim ndërkombëtar për të respektuar marrëveshjen

Ndërsa njoftoi se ka filluar një kampanjë për promovimin e produkteve vendore. Deklarata e saj vie pas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për mbajtjen e një interpelance, ku ministrja Kusari-Lila do t’i raportojë Kuvendit për masat e reciprocitetit ndaj produkteve serbe.
Në këtë interpelancë do të diskutohet çështja e reciprocitetit dhe tregtia me Serbinë dhe do të kërkohet që të votohet mocioni i prezantuar nga Vetëvendosja, i cili kërkon që të kthehen masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Por ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Kosova ka marr një obligim ndërkombëtar, për respektimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërsa eksportin e mallrave kosovare, nuk e sheh si problem vetëm me Serbinë, por me të gjitha vendet e rajonit.
“Kosova ka marr një obligim ndërkombëtar si rrjedhojë e konkluzave të dialogut të zhvilluar në Bruksel dhe konform atyre konkluzave kemi bërë respektim të marrëveshjes edhe pse me vështirësi, por është hequr një barrierë tregtare që ka ekzistuar gjatë tri viteve dhe natyrisht të prezantohen faktet dhe argumentet. Eksporti prej Kosovës në Serbi nuk është problem vetëm me këtë shtet, potencialet eksportuese duhet të rriten me gjitha shtet e tjera. Ne kemi fakte gjatë periudhës 40 ditore kur ka qenë reciprociteti në fuqi, thuajse është rritur importi nga vendet e tjera si zëvendësim për produktet serbe, natyrisht ka pas edhe një zhvillim të produkteve vendore, por kryesisht në fokusin e brendshëm, e më pak në eksport prej Kosovës në vendet e tjera”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Gjithashtu ajo ka filluar një kampanjë për promovimin dhe shitjen e produkteve vendore, ndërsa ka kërkuar nga konsumatorët të ngrisin vetëdijen për blerjen e prodhimeve vendore.
“Secili shtet, ose shumica e vendeve kanë kampanjat të natyrës të cilat promovojnë shitjen e produkteve vendore. Natyrisht se është një kampanjë stimuluese për shitjen e produkteve vendore. Por gjithashtu duhet të ketë edhe më tepër vetëdije të konsumatorëve në raport me konsumin e produkteve vendore, ose t’i jepet përparësi produkteve vendore në krahasim me vendet tjera”, ka theksuar ajo.
Ndryshe periudha kohore e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, ka ndikuar në ngritjen e prodhimit vendor dhe rritjen e punësimit. Por, me heqjen e këtyre masave, tregu i Kosovës është vërshuar nga mallrat serbe.
Dje Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një listë të 25 kompanive që kanë importuar më së shumti mallra nga Serbia, të cilës listë i prinë kompania Elkos e deputetit Ramiz Kelmendi.
Vetëvendosje veç publikimit të kësaj liste, më parë ka promovuar një kampanjë për produktet vendore me thirrje “Duaje tënden”, ndërsa ka ndërmarrë edhe disa aksione ndaj mallrave serbe, duke i rrokullisur maunet që bartnin këto mallra.