TVSH, pjesë e krizës së medias
Raporti i fundit i organizatës “Reportes sans frontieres”, në të cilin evidentohej situata e rëndë e medias shqiptare, u trajtua në faqet e gazetave të pavarura shqiptare me të njëjtën hapësirë që mund t’i jepej lajmit të përmbytjeve në Filipine apo një përplasje trenash në Indi. Në të njëjtën linjë, edicionet televizive të lajmeve u mjaftuan të flisnin për raportin vetëm nëpërmjet gojës së zëdhënësve të PD e PS, të cilët servirën edhe për këtë rast gjellën e përditshme bajate të akuzave të ndërsjellta, gjellë që u gatuhet çdo mbrëmje shqiptarëve nga ekrani i TV.
Leksioni i parë me të cilin nis rrugën e profesionit çdo gazetar është shembulli i njohur: “Nëse qeni kafshon një njeri, asgjë nuk ka ndodhur; nëse njeriu kafshon një qen, kemi të bëjmë me një lajm”. Mbi këtë rregull bazë, gazetarët nisin të vlerësojnë në ditën e tyre të punës se cilat janë informacionet e rëndësishme për publikun. Në rastin e raportit mbi lirinë e medias, mund të kenë ndikuar dy arsye që trajtimi i tij ishte aq periferik: E para, për vetë gazetarët mungesa e lirisë së tyre nuk përbën më lajm (pra është rasti i qenit që kafshon njeriun); E dyta: edhe në këtë rast ka vepruar faktori pronar. Shefat e redaksive kanë vendosur të mos luajnë me zjarrin dhe t’iu kërkojnë mendim pronarëve nëse duhet trajtuar apo jo ky lajm i sikletshëm. Përgjigjen e merrni me mend vetë.
Jehona e këtij alarmi, ashtu edhe si për shumë ngjarje të tjera u shua që të nesërmen. Ajo që është më shqetësuese, është fakti që ky sinjal SOS i lëshuar mbi rrezikun që i kanoset pavarësisë së medias, nuk ka arritur të ngjallë asnjë debat të dobishëm në vetë rrethin e analistëve, drejtuesve të medias dhe vetë gazetarëve. Një debat, qoftë edhe në faqet e të përditshmeve, i cili mund të zbulojë arsyet e vërteta të këtij përkeqësimi të situatës së medias dhe gjetjen e rrugëzgjidhjeve. Edhe një takim me drejtuesit e medias, i cili u organizua sërish nga një forcë politike si G99, duket se kishte për qëllim kahun politik të orientimit të Televizionit Publik më tepër sesa problemet që rrezikojnë sot vërtet median shqiptare. Në të vërtetë, ajo që duhet të shqetësojë të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare, nuk është fakti që TVSH po propagandon vetëm “arritjet” e qeverisë apo censuron opozitën, sepse këtë rol televizionit publik nuk ia kemi hequr asnjëherë që prej krijimit të tij. Shqetësimi më emergjent është fakti, që televizionet dhe gazetat private po ngjasojnë çdo ditë e më tepër kopje të TVSH-së. Sigurisht, dikush duke anuar në krahun e qeverisë, e dikush tjetër në atë të opozitës, operatorët mediatikë po shndërrohen çdo ditë e më tepër në megafonë që pasqyrojnë atë që do të transmetojë politika, duke iu larguar gjithnjë e më tepër të vërtetës dhe interesit të publikut. Fajtorët e kësaj situate, mund të gjenden jo vetëm në radhët e pushtetarëve, “flirtuesve” të përjetshëm të pushtetit të katërt, por sigurisht edhe vetë “zonjave” (mediave), të cilat e kanë kuptuar se misioni i tyre “watch dog” nuk përkthehet në shqip në fjalët përfitim dhe mirëqenie. Në fakt, qeni që mësohet me privilegjin e një vakti të bollshëm nga i zoti i shtëpisë, nuk ka ndër mend të kafshojë dorën që e ushqen.
Për të kuptuar edhe njëherë arsyet e rrezikut që i kanoset lirisë së medias dhe gjithashtu edhe situatës së TVSH, duhet të kthehemi pak prapa në histori. Që prej lindjes së saj, teknologjia ka ndihmuar në përforcimin e centralizimit. Për shembull, revolucioni teknologjik gjatë viteve ‘20-të, i cili solli zhvillimin e radios, kinematografisë dhe më pas edhe televizionit, pati një efekt përqendrues. Kjo i dha mundësi personave apo grupeve, që kishin akses në këtë teknologji të re, mundësinë për të ndikuar mbi pjesën tjetër të shoqërisë. Është kjo arsyeja, përse përgjatë shekullit të kaluar, hapi i parë që bëhej gjatë një grushti shteti ishte gjithmonë marrja nën kontroll e stacionit të radios apo të godinës së televizionit. E njëjta logjikë duket se funksionoi edhe më 14 shtator 1998, kur protestuesit e armatosur pasi plaçkitën atë që kishte mbetur nga autoriteti shtetëror në godinën e kryeministrisë, u drejtuan drejt godinës së RTVSH për ta zaptuar atë për disa orë. Nuk besoj se kjo është arsyeja që në takimin e fundit të organizuar nga G99, dikush prej drejtuesve të medias hodhi idenë që të ndryshohej godina e televizionit publik.
Sidoqoftë, ashtu siç vlerëson edhe Fareed Zakaria, analisti i “Newsweek”, po ky revolucion teknologjik na ka dhënë mundësinë që bota e informacionit të demokratizohet. Kanë lindur me mijëra televizione private, duke e bërë të pamundur kontrollin qendror mbi informimin dhe censurën qeveritare. Duke i shtuar këtij realiteti edhe zhvillimin e internetit, kontrolli mbi median si një mjet propagande qeveritare është bërë krejtësisht i pamundur. Në këtë realitet të ri, televizionet publike, e kanë humbur rëndësinë e tyre si mjet propagande duke gjetur një rol të ri më larg informacionit politik dhe drejt emisioneve me interes shoqëror apo promovimit të vlerave kombëtare. Rasti më perfekt i njohur është ai i BBC-së britanike, por ka me dhjetëra raste të tjera të suksesshme që kanë gjetur rrugën e duhur në realitetin e ri.
Në realitetin shqiptar, nuk mund të pritej që televizioni publik të gjente kaq shpejt këtë rrugë të ekuilibruar duke dalë nga një eksperiencë e gjatë censure dhe flirtimi me pushtetin gjatë viteve të diktaturës. Lindja e mediave të para private në vend, të cilat nuk e kishin kontrollin qeveritar, pra mund të thoshin më lirshëm kritikën ndaj pushtetit, sigurisht që ndihmoi në një farë mënyrë në krijimin e një klime më të hapur edhe në televizionin publik. Kur publiku e mëson nga TV private një skandal të zyrtarëve, është më e vështirë për median shtetërore që të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në këtë rast, klima pozitive e lirisë së medias private, mund të ndikojë në përmirësimin e nivelit të ekuilibruar të TVSH. I njëjti rregull, funksionon edhe në krahun negativ, pra sa më negative të jetë situata e lirisë në tregun privat, aq më të keq do të reflektohet kjo klimë në realitetin e informimit të televizionit publik. Pra “sëmundja” që ka prekur TVSH-në dhe po shqetëson opozitën, nuk duhet parë e pandarë nga paraliza që I ka bllokuar gjymtyrët vitale gjithë medias shqiptare.
Zhvillimi i tregut të gazetave dhe televizioneve private gjatë dhjete vjeçarit të fundit ka ecur me një hap të stërmadh, pse jo artificial, duke arritur në rreth 30 të përditshme dhe dhjetëra kanale televizive. Të gjitha këto operatore mediatike, më tepër se sa nevojë e tregut, vinin si një mënyrë që zbuluan biznesmenët shqiptarë për të fituar tenderat publikë apo favore të tjera shtetërore. Pra, formula sulmo ministrin apo kryebashkiakun, derisa ai të të japë një licencë apo leje ndërtimi, u bë motoja e funksionimit të redaksive të ashtuquajtura të pavarura politikisht. Fitimet e siguruara nga punët publike, mbulojnë më pas shpenzimet e gazetave nën kosto dhe pagat e gazetarëve. Në momentin që tenderi apo licenca sigurohet, çdo kritikë ndaj zyrtarit kthehet në lavde dhe vlerësime. Këto ndryshime të papritura të kursit të mediave, kanë sjellë zhgënjimin e publikut ndaj tyre dhe si rrjedhojë kjo është shoqëruar me humbjen e vlerës së denoncimit të skandaleve apo abuzimeve. Reagimi i opinionit publik ndaj këtyre skandaleve, ka pësuar një mpirje që nuk reflekton në dënimin me votë të zyrtarëve të denoncuar për korrupsion apo abuzime. Sikur të mos mjaftonte indiferenca qytetare, mediat kuptuan se zyrtarët mund t’ia hedhin pa lagur edhe nga ligji, nëpërmjet mbylljes së dosjeve penale në prokurori apo gjykatë. Duke parë këtë realitet, por edhe faktin se si dikush prej këtyre biznesmenëve shumëfishon brenda vitit pasurinë e tij, krimbi i servilosjes ndaj pushtetit në emër të pasurimit dhe favoreve, nisi të brejë edhe ata investitorë seriozë të medias apo drejtues profesionalë. Dikush bëhet ndërtues, e dikush tjetër sekser i ndarjes së lejeve të ndërtimit e kështu misioni i gazetarit ndaj të vërtetës, fillon të vlerësohet jo më si një detyrim, por si një bezdisje që mund të të prishë punë. Nëse këta pronarë a drejtues, nuk stimulojnë pra gazetarin investigativ që mund të nxjerrë në dritë skandale e afera të sikletshme, edhe ky i fundit që e shlyen qeranë e shtëpisë me vështirësi pasi paguhet një herë në 3-4 muaj, sigurisht që nuk do të kërkojë belara të panevojshme. Ndodh kështu, që pjesën më të madhe të edicioneve të lajmeve e mbulojnë konferencat e shtypit të politikës apo aktivitetet që filmohen nga vetë partitë dhe sillen në redaksi me kaseta të montuara. Politika, sigurisht që ka vendosur të mos e ndryshojë këtë situatë dhe të kënaqet më këtë tredhje të medias. Kryeministri mund të kontrollojë mediat e veta, lideri i opozitës që ka në dorë lejet e ndërtimit, mund të ketë nën kontroll mediat e veta. Kur kemi arritur në këtë kapje të medias private nga politika, në televizionin publik as që mund të flitet për përmirësim.
Për këto arsye të mbrapshta, dalja nga rreziku që përshkruan raporti i “Reporters sans Frontieres”, është e kotë që të pritet të iniciohet nga politika dhe mekanizmat e saj. Hapi i parë duhet të hidhet nga komuniteti i gazetarëve, në drejtim të krijimit të strukturave vetëkontrolluese të etikës, por edhe mbrojtëse ndaj presionit të pronarëve. Prej vitesh është folur për nevojën e krijimit të “Urdhrit të Gazetarëve”, një strukturë që duhet të kontrollojë etikën dhe karrierën e çdo gazetari dhe organi mediaje, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Kjo sepse Urdhri nuk mund të ngrihet nga pushteti apo ndonjë organ tjetër legjislativ, por nga vetë gazetarët, të cilët nuk e gjejnë asnjëherë gjuhën e përbashkët për interesat e tyre. Disa vite më parë, iu bashkova firmave që regjistruan në gjykatë “Unionin e Gazetarëve”, një organizim që vendosi t’i shkonte deri në fund luftës së fenomenit të “punës së zezë” në media. Me gjithë përpjekjet që meritojnë respekt të drejtuesit Aleksandër Cipa, “Unioni” vazhdon të luftojë në një betejë ende të pafituar për njohjen e kontratës kolektive nga të gjithë pronarët e mediave dhe respektimin e saj kur gazetarët hidhen në rrugë. Në fakt, largimi nga puna i gazetarëve apo pagimi i tyre në periudha 4-5 muaj vonese, nuk përbën më lajm. Në një nga prezantimet e fundit publike, “Unioni i Gazetarëve” njoftonte se edhe vetë organizata: “vazhdonte të përfitonte nga bujaria e Institutit të Medias pasi nuk kishte paguar prej 7 muajsh qeranë e zyrave”! Nëse drejtuesit e “Unionit” do të kishin zgjedhur të ndihmonin në marrëdhëniet me shtypin ndonjë pronar mediash, sigurisht që do të kishin gjetur jo vetëm zyra të rehatshme, por edhe shumë favore të tjera.
Është e vërtetë që gjetja e një kodi të tillë moralo-etik brenda vetë medias, nuk zgjidh gjithçka, por pas këtij hapi, mund të ushtrohet presioni i duhur ndaj strukturave ekzekutive dhe legjislative për t’i detyruar politikanët të prishin “muajin e mjaltit” me biznesmenët mediatikë. Deri më sot, sa herë që mekanizmat shtetërore kanë nisur kontrolle apo ndëshkime ndaj mediave ku lulëzon “puna e zezë” e gazetarëve, vetë pronarët kanë lëshuar alarmin se po sulmohet liria editoriale. Për këtë arsye, gazetarët vazhdojnë edhe në vitin 2009 të jenë profesioni më i parregulluar nga kontratat e punës dhe normat e sigurimeve shoqërore. Nëse kërkesa për kontrolle do të vijë nga vetë organizmat e gazetarëve, pronarët abuzues nuk do të kenë më mburojën e deritanishme që u siguron liria e shtypit.
Nëse do të ndiqet kjo rrugë e gjatë, por e nevojshme, për të rigjeneruar median private shqiptare, do të arrijmë të krijojmë terrenin e duhur për shndërrimin e TVSH në një televizion të vërtetë publik. Masat që po diskutohen së fundi si balancimi politik i bordit drejtues apo kontrolli i mëtejshëm i minutazhit të dedikuar maxhorancës dhe opozitës në edicionet e lajmeve, janë jo vetëm teori të provuara se mund të dështojnë, por njëkohësisht nuk sigurojnë asnjëherë ekuilibrin e duhur të kërkesave jo vetëm në raportin PD-PS, por edhe në plotësimin rigoroz të detyrimit kryesor të TVSH, pra të përcaktimit të interesit të publikut si një prioritet më i madh se prioritet e politikës. Garancia më e mirë që e imunizon TVSH-në dhe median në përgjithësi nga sëmundja aktuale, është profesionalizmi. Duke ngritur strukturat vetëkontrolluese të respektimit të këtij profesionalizmi (Urdhri si dhe Unioni i Gazetarëve) mund të arrijmë tek pavarësia e duhur mediatike dhe mbrojtja e saj nga kërcënimi i pronarëve dhe politikës.
Shënim: Shpresoj që këto radhë të lexohen me kujdes nga kolegët e medias dhe të shërbejnë për nisjen e një debati të shëndoshë, larg ngjyrimeve politike apo interesave momentale.
etase@politika.al