E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndiqet penalisht italiani, trafikonte mjete të vjedhura

29/06/2010 U kap me makinë të vjedhur në 2004-n

DURRES- Është vënë nën përgjegjësinë penale dhe akuzën e trafikimit të mjeteve motorike shtetasi italian Nikolin A. 32 vjeç. Bllokimi i një mjeti tip Fiat Tipo me targa të huaja në portin e Durrësit ka vënë nën përgjegjësi këtë shtetas, i cili është detyruar të lërë në dorën e agjentëve të policisë të gjithë dokumentacionin e mjetit. Ky shtetas me kombësi e shtetësi italiane i lindur në Gjermani dhe banues në Itali është ndaluar teksa kishte zbritur në sheshin e trageteve me mjetin Fiat Tipo CN 870667. Policia kufitare dhe migracionit në portin e Durrësit ka vendosur të ndalojë këtë mjet sapo ka parë se në listën që ajo ka rezulton se mjeti i italianit ishte vjedhur në Itali më datë 6 korrik 2004. Shtetasi Nikolin A. ka justifikuar pronësinë e mjetit duke thënë se ai e kishte blerë në vendin e tij. Por policia ka dyshime se bëhet fjalë për një rrjet trafikantësh të mjeteve dhe autoveturave në të cilin janë të përfshirë shtetas shqiptarë e të huaj. Italiani dyshohet se ka bërë të njëjtin veprim edhe herë të tjera dhe për këtë arsye e ka shoqëruar në mjediset e saj për ta marrë në pyetje. Po dje policia ka bllokuar edhe mjetin fuoristradë Land Rover me targa ZA 644 NB. Edhe ky mjet ishte në listën që ka policia e Durrësit, e cila ka bërë të ditur se fuoristrada ishte e vjedhur në Itali më datë 11 maj 2004. Muajt e fundit policia është përqendruar në drejtim të gjetjes së strehës së disa mjeteve të vjedhura në Perëndim dhe të trafikuara në Durrës. Bashkëpunimi i vendosur me forcat e policisë së përtejdeti dhe besueshmëria që kanë gjetur të huajt tek policia shqiptare kanë bërë të mundur zbulimin e disa rrjeteve të trafikut më mjeteve. Në këtë kuadër janë bërë edhe vëzhgime si dhe operacione në disa pika të grumbullimit të automjeteve. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›