E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdhunohet 9-vjeçarja, arrestohet një 42-vjeçar

29/06/2010 I dyshuari e mashtroi dhe më pas e dhunoi në pyll. Vajza jeton me gjyshërit, prindërit në Greqi

LUSHNJE- Një ngjarje tepër e rëndë ka ndodhur në rrethin e Lushnjës. Një 9-vjeçare ka rënë pre e një përdhunimi nga një person ende i paidentifikuar. Fëmija 9 vjeç banuese në fshatin Kolonjë të Lushnjës është përdhunuar pasditen e djeshme nga një shtetas 42-vjeçar F. K, banues në Barbunjë të Lushnjës. M. SH është vogëlushja, e cila, sipas policisë, ka qenë në afërsi të banesës së gjyshërve në Kolonjë të Lushnjës, është marrë fillimisht me mashtrim dhe më pas është përdhunuar në Kodrat e Ardenicës. Mësohet se e mitura pas përdhunimit ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja

Burimet e policisë konfirmojnë se vajza pasi ka dalë nga banesa e saj është marrë me forcë nga i panjohuri, i cili më pas e ka çuar në pyllin e Ardenicës të rrethit Lushnjë dhe ka kryer marrëdhënie seksuale më të. “Me marrjen e këtij njoftimi strukturat e komisariatit të policisë Lushnjë shkuan menjëherë pranë ambienteve të këtij spitali dhe nga veprimet e para hetimore rezulton se shtetasja me inicialet M. SH., 9 vjeç, nga një fshat i rrethit Lushnjë, pasi ka dalë nga banesa e saj është marrë me forcë nga një person i paidentifikuar, i cili e ka çuar në pyllin e Ardenicës të rrethit Lushnjë dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të”, vijon deklarata e policisë. Vajza ka dalë nga shtëpia rreth orës 12 dhe është kthyer në shtëpi rreth orës 16. Pas ngjarjes vajza është gjetur në rrugë nga një banor i fshatit, i cili e ka çuar atë menjëherë në polici. Kjo e fundit ka nisur vogëlushen në spitalin e qytetit të Lushnjës ku nga mjekët është vërtetuar edhe rasti i përdhunimit. Fëmija pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore pranë spitalit të Lushnjës është shoqëruar për ndihmë mjekësore më të specializuar pranë Q.S.U.T-së në Tiranë. Ndërkohë policia u vu menjëherë në kërkim të autorit dhe për këtë ngjarje është arrestuar si i dyshuar një shtetas 42-vjeçar.

Familjarët

Sipas familjarëve të vajzës, ngjarja ka ndodhur rreth mesditës pikërisht në fshatin Kolonjë. Gjyshja e ka nisur vajzën për në dyqan dhe më pas nuk është kthyer për më shumë se 3 orë. “U nis për në dyqan dhe u vonua. Nuk e dinim ku ishte, por menduam se po luante me shoqet, prandaj nuk e kërkuam. Vetëm kur na erdhi një fqinj i fshatit bashkë me vajzën, e cila po qante. Vajza më tha që një burrë rreth moshës 40 vjeç e kishte marrë prej dore dhe i kishte dhënë 4 mijë lekë të vjetra. Më pas ai i ka thënë të shkonin bashkë deri në një vend pranë kodrave të fshatit, pasi ai nuk e njihte mirë këtë vend. Sapo vajza është ngjitur me të mbi rrugën e fshatit, personi e kishte tërhequr me dhunë duke e çuar në pyllin e Ardenicës pranë kodrinës dhe më pas kishte kryer me të marrëdhënie seksuale”, ka vijuar Gona, gjyshja e vajzës. Ndërkohë kjo e fundit ka deklaruar se në trup i ka gjetur shenja të dukshme dhune. Pas kësaj edhe gjyshja me gjyshin i janë drejtuar policisë. Gjyshja e të miturës kërkonte me ngulm gjetjen e autorit dhe vënien e tij para drejtësisë, ndryshe sipas saj është gati për vetëgjyqësi pavarësisht moshës që ka. “Jam gati ta mbys me duart e mia atë njeri, ka thënë e moshuara,vetëm po se gjetëm”. Ndërkohë vogëlushja kishte rreth një vit që jetonte tek gjyshërit bashkë me motrën tjetër dhe vëllain, të cilët janë më të vegjël se ajo. Dy prindërit e vajzës jetojnë në Greqi prej vitesh, ndërsa fëmijët vazhdonin shkollën tek gjyshërit. Familja Sholla jeton në kushte të mjerueshme ekonomike. Jetesën e sigurojnë vetëm me të ardhurat që dërgojnë rrallë herë prindërit e tre fëmijëve. Edhe gjyshi i fëmijëve Petraq Sholla ka deklaruar se policia duhet të gjejë fajtorin dhe të mundësojë shërimin e vajzës, pasi vetë ata nuk kanë asnjë mundësi ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›