E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dietë plazhi, si të nxihemi me sukses

Këshilla, si ta ruajmë sa më gjatë ngjyrën e plazhit

Kur qëndrojmë në diell në fund të fundit dëshirojmë vetëm dy gjëra: të nxihemi dhe të ruajmë lëkurën tonë nga efektet dëmtuese të rrezeve ultraviolet. Hapi i parë, për të realizuar këto dy kërkesa, është një dietë ushqyese e duhur. Për të favorizuar nxirjen, rekomandohen frutat dhe perimet me ngjyrë të verdhë, portokalli dhe jeshile të errët, kjo për arsye sepse përmbajnë betakarotinë, substancë që stimulon formimin e melaninës dhe që na jep ngjyrën çokollatë aq të preferuar dhe në të njëjtën kohë mbron lëkurën tonë. Për të mbrojtur rrënjësisht lëkurën dhe për të parandaluar plakjen e parakohshme duhet të merren vitaminat A, C, E dhe seleni, metal që rinovon qelizat e lëkurës dhe organizmin tonë. Por, para se të filloni një dietë të përcaktuar, ja disa rregulla të përgjithshme që mund t’ju vijnë në ndihmë: Mundohuni të pini të paktën një litër ujë në ditë; Evitoni pirjen e alkoolit gjatë ditës sidomos në qoftë se jeni në diell; Zvogëloni përdorimin e kripës; Edhe në qoftë se doni të dobësoheni, mos hiqni dorë nga vaji i ullirit apo nga vajra të tjerë, sepse janë të nevojshëm për organizmin, për ta ndihmuar në asimilimin e betakarotinës.
Ekspozimi
Ekspozimi që duhet të bëjmë ndaj rrezeve të diellit duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm për të eliminuar rreziqet që mund të sjellë një ekspozim jo i rregullt. Rreziqet mund të vijnë nga fakti se koha është gjithnjë e më e shkurtër, ndërsa dëshira për të marrë rreze është gjithnjë e më e madhe. Kështu, jemi ne ata që vrapojmë drejt rreziqeve anësore, që mund të na sjellin rrezet e diellit siç janë: shfaqja e njollave të errëta, përshpejtim të plakjes, dhe shtimin e substancës së melanomës në organizëm. Që të nxihemi në një siguri të plotë duke evituar rreziqet, duhet të dimë para së gjithash se nxirja nuk është gjë tjetër veçse rrjedhojë e një mbrojtje natyrore që bën lëkura jonë. Pra bëhet fjalë për prodhimin e një substance të veçantë, melaninës me qëllimin për të krijuar një shtresë mbrojtëse natyrale kundër agresivitetit të rrezeve diellore. Mbi të gjitha rrezet ultraviolet me valë të gjata janë më të dobëta dhe në një farë mënyre provokojnë dëmtime minimale në lëkurë, por duke u futur në thellësi të saj mund të sjellin dëmtime serioze të strukturave elastike dhe vit pas viti mund të shkaktojnë një plakje të parakohshme të lëkurës. Deri para disa kohësh ishin cilësuar të rrezikshme për lëkurën rrezet ultraviolet B, por sot duhet të merren në konsideratë dhe rrezet A, të cilat kanë valë më të shkurtër, por penetrojnë në thellësi të lëkurës. Ndërsa rrezet ultraviolet me valë të shkurtër UVB janë më pak të rrezikshme dhe shkaktojnë skuqje të lëkurës, por mund të shkaktojnë dhe tumore epiteliale.
Nxirja
Është një sistem mbrojtës që e krijon vetë lëkura jonë nëpërmjet prodhimit të një substance, melaninës që shërben si një filtër mbrojtës kur është në sasinë e duhur. Për këtë, një kujdes i veçantë, duhet t’i përkushtohet dhe përcaktimit të fototipit të lëkurës, gjë që tregon se sa e ndjeshme është lëkura jonë ndaj rrezeve diellore. Ekspozimi ndaj diellit, në radhë të parë, duhet të bëhet në mënyrë graduale, sidomos ata persona që kanë një lëkurë të ndjeshme, duke evituar qëndrimin në diell në orët e mesditës. Për fëmijët nën tre vjeç, do të ishte e këshillueshme, që të mos ekspozoheshin aspak në diellin e verës, ndërsa për ata më të mëdhenjtë përveçse një kremi të mirë mbrojtës nuk duhet të harrohet asnjëherë dhe përdorimi i syzeve të diellit, i kapelës dhe veshja e një bluze. Së fundi, duhet kujtuar se, kremrat mbrojtës nuk janë kurrë produkte që bëjnë mrekulli, por shërbejnë vetëm për të zgjatur kohën e qëndrimit në diell pa pësuar dëmtime.
Zgjidhjet
Pas aplikimit të një diete për tu nxirë, ka dhe shumë gjëra të tjera që na duken të vogla, por që ndonjëherë na sjellin shqetësime të mëdha sa mund të na prishin dhe pushimet. Ja disa zgjidhje për të lehtësuar problemet e pushimeve:
Flokë të thatë
Nëse keni flokë të thatë nga dielli dhe deti, aplikoni mbi flokë vajin e ullirit dhe më pas i krihni me një krëhër me dhëmbë të gjëra. Lëreni vajin e ullirit të veprojë të paktën 30 minuta në flokët tuaja dhe pastaj shpëlajeni me ujë të vakët (në krahasim me ujin e nxehtë i lë flokët më të derdhur dhe me dritë).
Pickime mushkonjash
Provoni të vendosni menjëherë vaj ulliri të përzier me pak kripë dhe do ta shikoni që mbi lëkurën tuaj nuk do të ketë asnjë shenjë.
Lëkurë e skuqur
Për thonj të verdhë dhe lëkurë e skuqur nga dielli, ka vetëm një zgjidhje: limoni. Në qoftë se, në mbrëmje kujtoheni se e keni lëkurën e skuqur nga dielli lyejini zonat e skuqura me lëng limoni. Lëkurën do ta ndjeni paksa të tërhequr, por të nesërmen do ta shikoni se ajo do të ketë një ngjyrë çokollatë të ëmbël pa gjurmë skuqjeje.
Thonj të verdhë
Në qoftë se thonjtë tuaj janë zverdhur, për t’i kthyer përsëri atyre ngjyrën e bardhë vendosni majat e gishtërinjve në një gjysmë limoni të prerë për rreth dhjetë minuta.
Lëkurë e ashpër
Rëra e plazhit është një pastrues shumë i mirë natyral. Merrni një grusht rërë të lagur dhe masazhoni pjesët në të cilat lëkura është e ashpër si tek thembrat apo bërrylat.

Ruajtja e ngjyrës së plazhit
Pasi mbarojnë pushimet i vetmi kujtim që na mbetet është ngjyra që kemi marrë dhe si çdo vit ideja se dhe ngjyra do të largohet na trishton paksa. Ja disa këshilla për të qenë “të zeza” në një kohë sa më të gjatë.
Fjala kyç është: hidratim. Për këtë vazhdoni të hani shumë fruta dhe perime dhe të pini të paktën një litër e gjysmë ujë çdo ditë për të hidratuar nga brenda lëkurën tuaj
Kur bëni banjë lëreni mënjanë sapunin e zakonshëm dhe përdorni produkte të veçanta që e hidratojnë në maksimum lëkurën si për shembull, vajrat
Në qoftë se ju ripet lëkura mos hezitoni që ta fërkoni gjatë larjes për të larguar qelizat e vdekura. Ndryshe nga ajo që mendohet nuk do të heqë ngjyrën e lëkurës suaj por do ta bëjë atë të ndritshme. Për këtë mund të përdorni dhe një peshqir të njomur, paksa të ashpër
Kujtohuni që ta hidratoni gjithmonë lëkurën në mbrëmje dhe në mëngjes dhe pas çdo dushi që bëni. Janë të këshillueshme kremrat hidratues dhe kremrat pas diellit që në të njëjtën kohë dhe e freskojnë lëkurën
Fytyra meriton një trajtim special. Trajtojeni fytyrën me produkte deklikate dhe aplikoni rregullisht (dhe çdo dy ditë në qoftë se është e mundur) maska ushqyese
Në qoftë se në lëkurë fillojnë t’ju shfaqen disa njolla më të errta se sa pjesa tjetër (janë shenja që ngjyra që keni marrë gjatë pushimeve po largohet) aplikoni në këto zona një krem zbardhues

Dieta e nxirjes që duhet të ndiqni ditë pas dite
Mëngjesi (për çdo ditë)
Një gotë qumësht të skremuar ose një gotë kos me fruta, pa yndyrë.
Katër biskota me pak marmelatë ose katër lugë me cornflakes.
Dita e parë
Dreka: Makarona të përgatitura me vaj ulliri, hudhra, majdanoz, piper, speca, kripë.
Spinaq të zier të përgatitur me vaj ulliri dhe limon.
Pasditja: 3 kajsi
Darka: Lakër e gatuar me vaj ulliri, një panine, sallatë me fruta, qershi, kajsi, pjeshkë dhe një banane.
Dita e dytë
Dreka: Makarona me domate të gatuara me vaj ulliri, domate borzilok, hudhra, kripë dhe pak djathë të shkrirë, karrota të grira të përziera me lëng limoni.
Pasditja: dy feta ananas.
Darka: Mish të bardhë pule gatuar me vaj ulliri, sallatë me lakër dhe karota të përziera me lëng limoni, një panine, një frut.
Dita e tretë
Dreka: Makarona të përgatitura me vaj ulliri, domate, hudhra, kripë, speca të grirë, sallatë me lakër, karota dhe fasule.
Pasditja: Tre kajsi.
Darka: Djathë të bardhë, sallatë me domate, një panine, një akullore me fruta.
Dita e katërt
Dreka: Spageti me ton të përgatitura me: ton, vaj ulliri, majdanoz, hudhra, kripë, piper. Speca të verdhë dhe të gjelbër të pjekur. Pasditja: Një dardhë të madhe
Darka: Troftë e mbledhur e përgatitur me: domate, vaj ulliri, limon, kripë, piper. Sallatë me karota të grira, një grepfrut.
Dita e pestë
Sallatë me oriz të përgatitur me: karota, bizele, domate të freskëta, speca, vaj ulliri, kripë. Barëra të ziera të përziera me lëng limoni.
Pasditja: Një sallatë frutash me qershi, pjeshkë, kajsi, e përzier me lëng limoni.
Darka: Pica Margarita, lakër e përzier me domate dhe vaj ulliri, dy kivi.
Dita e gjashtë
Dreka: Makarona me perime të përgatitura me: vaj ulliri, hudhra, karota, kunguj, kripë, domate, majdanoz, piper.
Perime sipas dëshirës të pjegura në grilë.
Pasditja: Një banane.
Darka: Një spec të mbushur me oriz dhe perime, sallatë me domate të përzier me vaj ulliri, një panine.
Dita e shtatë
Dreka: Supë me perime, sallatë me karota, domate dhe lakër të përzier me vaj ulliri.
Pasditja: 4 kajsi.
Darka: Peshk i pjekur në grilë me limon dhe vaj ulliri, spinaq i zier me lëng limoni, një panine, një banane.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›