Ndizet Drita, merr edhe Shabanin e Xhikën

Drita i ka ndezur motorët për t’i mbuluar sa më shpejt pozitat e lëna bosh nga disa futbollistë me përforcime të reja. Madje, gjilanasit për dy ditë ia dolën t’i sigurojnë shërbimet e pesë futbollistëve.
Pas Ismet Cakës (Kosova V), Emir Ramës (Flamurtari) e Ismet Ramushit (Gjilani), ekipi gjilanas të martën e ka kompletuar edhe transferimin e dy futbollistëve tjerë nga Lepenci. Fjala është për Besmir Xhikën e Xhevdet Shabanin, të cilët në sezonin e fundit ishin ndër lojtarët më të dalluar në ekipin kaçanikas.
“Marrëveshja me Xhikën e Shabanin është arritur. Të dy ata bashkë me Cakën, Ramën e Ramushin na u kanë bashkangjitur në përgatitje”, tha trajneri i ri i bardhekaltërve, Arbnor Morina.
Trajneri i njohur kosovar paralajmëroi edhe përforcime të reja. “Shumë lojtarë janë larguar nga Drita, por tash shumë lojtarë po i ofrohen ekipit tonë, andaj sigurisht se do ta bëjmë edhe ndonjë përforcim për aty ku kemi më shumë nevojë”, theksoi ai.