Besa në telashe
Vëllaznimi dhe Besa janë dy skuadrat që ende nuk kanë bërë përforcime në këtë verë. Për dallim prej Vëllaznimit, i cili ka paralajmëruar përforcime, pavarësisht largimeve të shumta, Besa e Pejës as që është duke menduar andej.
Përkundrazi, udhëheqësit e klubit pejan do të ishin shumë të lumtur nëse nuk u ikin disa lojtarë të rëndësishëm, e sa për t’u përforcuar as që po u shkon mendja andej.
Në fakt, buxheti financiar i Besës nuk i garanton stabilitet kësaj skuadre. Aktualisht shumë lojtarë të Besës janë pa kontrata, derisa buxheti i zbehtë i klubit ka bërë që ata të hezitojnë të nënshkruajnë kontrata të reja.
Kështu që në adresat e lojtarëve kyç të Besës, si: Krenar Vokshit, Fisnik Papuqit, Florent Papuqit, Fisnik Gashit, Mensur Durakut, Valmir Bytyçit e të tjerëve kanë ardhur oferta nga klubet tjera të Superligës, andaj ata tani po e mendojnë largimin.
Këtë e kanë thënë për Express disa nga futbollistët e lartpërmendur, derisa edhe kryetari i Besës, Bakir Burri, e pranon se në klubin e tij nuk po ‘këndohet këngë e mirë’.
“Buxheti i klubit tonë nuk është aq i keq. Përkundrazi, është i mirë, por i pamjaftueshëm që t’i mbajmë të gjithë futbollistët që i kishim në edicionin e kaluar, ashtu siç dëshirojmë ne”, deklaroi Burri për Express.
Andaj, Burri dhe kolegët e tij të Besës po rrinë duke pritur lajme se cilët lojtarë u ikën nga skuadra.
“Futbollistët si Vokshi, Duraku, Gashi, vëllezërit Papuqi etj. janë lojtarë të mëdhenj në vendin tonë, andaj unë u besoj atyre kur më thonë se kanë oferta nga klubet tjera. Ka mundësi reale që ata të largohen dhe nuk do t’ua zë për të madhe, sepse shumë herë kanë pasur mirëkuptim ndaj klubit, saqë ne nuk po mund t’u themi rrini sepse karriera e futbollistëve është e shkurtër, andaj ata duhet të përfitojnë para, sidomos ata që i mbajnë familjet e tyre”, theksoi Burri.
Ai në fund mbetet me shpresë që sa më shpejt të vijnë ditë më të mira për Besën, në mënyrë që të forcohet dhe t’i mbajë të gjithë ata lojtarë.