E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani nis rindërtimin, në listë Yanga, Tevez e Kaka

MILANO - Milani ka nisur rindërtimin e ekipit, por administratori Adriano Galiani është duke ecur me shumë kujdes. Gjithçka nis nga mbrojtja, që ka humbur në një sezon të vetëm merkatoje Tiago Silvën dhe Nestën. Galiani ka gjetur në tregun francez emrin e të ardhmes në këtë repart, që është përforcuar me Açerbin. Bëhet fjalë për mbrojtësin e qendrës së Montpeljesë Yanga Mbiwa. Tratativa me kampionët e Francës do të nisë para fundit të korrikut, duke qenë se më 28, skuadra franceze do të luajë finalen e Superkupës ndaj Lionit, në Redbulls Arena të Nju Jorkut. Kur ata të kthehen në Evropë, do të nisin seriozisht bisedimet, teksa Galiani duket i "dashuruar" me të. Yanga Mbiëa është 23 vjeç dhe nga ana taktike ka ende për t'u përmirësuar, por Alegrin nuk e tremb një ide e tillë, pasi do të ishte një përforcim për të ardhmen. Megjithatë, pas sezonit të fundit, ku u shpall kampion, vlera e Yanga është trefishuar, duke shkuar në 18 milionë euro. Galiani gjithsesi është duke punuar edhe për Rolandon e Portos, një nga qendrat më të forta të Evropës.
Tevez prioritet
Hapi i dytë për t'u ndjekur është ai i gjetjes së një sulmuesi me peshë, në gjendje të zëvendësojë Zllatan Ibrahimoviç. Ky rol ka mbetur bosh në skuadrën kuqezi, e cila nuk bindet shumë nga një Aleksandre Pato që dëmtohet rregullisht. Emri që presin të gjithë është Karlitos Tevez, por argjentinasi ka një rrogë shumë të lartë dhe veç të tjerash, Siti nuk duket i gatshëm ta shesë. Mbetet gjithnjë "e nxehtë" pista Xheko, ndërsa më e arritshmja për momentin duket ajo që të çon te Alesandro Matri. "Tulla" e fundit për t'u vendosur është ajo e mesfushës, ku emri më i lakuar është ai i Lasana Diarra, i nxjerrë në shitje nga Reali i Madridit.
Rikardo Kaka
Rikardo Kaka duket gjithnjë e më shumë në ankand, teksa Zhoze Murinjo e sheh më shumë jashtë se brenda skuadrës së tij për sezonin e ardhshëm. Sipas të përditshmes katalanase "Sport", presidenti Florentino Perez kërkon ta largojë brazilianin për shkak të rrogës së tij të lartë, duke qenë i gatshëm të pranojë edhe një ofertë prej 10 milionë eurosh. Pasi është eliminuar pista Paris Sent Zhermen, ofertat e vetme të rëndësishme për brazilianin janë ato nga Brazili dhe nga Kina, kampionate që Rikardo Kaka nuk ka ndërmend t'i marrë në konsideratë. Sipas të përditshmes "AS", ish-milanisti, i shoqëruar nga babai dhe njëkohësisht agjenti i tij, është takuar për 45 minuta me Zhoze Murinjon në zyrat e "Santiago Bernabeut". Ajo shkruan se portugezi i ka bërë të ditur se nuk bën më pjesë në planet e tij dhe se do të aktivizohet gjithnjë e më pak, kështu që duhet të gjejë një klub tjetër për të ardhmen. Dhe ky klub, mund të jetë pikërisht Milani, ka rinisur të mendojë për të.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›