E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buffon, model i Ujkanit

Samir Ujkani po bëhet gati për edicionin e ri. Portieri kosovar ndihet i nderuar që tash e tutje do t’i mbrojë ngjyrat e Palermos. Ai u ka premtuar tifozëve sicilianë se do ta japë maksimumin për ta mbrojtur në maksimum portën e ekipit të tyre. Për këtë, reprezentuesi i Shqipërisë ka treguar se po inspirohet nga Gianluigi Buffon.

Samir Ujkani po i mbush bateritë për edicionin e ri. Një gjë të tillë portieri kosovar po e bën në Malles bashkë me skuadrën e tij Palermo, në të cilën u rikthye gjatë kësaj vere pas tri sezonesh të kaluara në formë huazimi te Novara.

Ai ndihet i nderuar me faktin që zyrtarët e Palermos e rikthyen në skuadër, duke shprehur kështu besim të madh për vushtrriasin. Andaj, reprezentuesi i Shqipërisë ka thënë se do ta japë maksimumin nga vetja e tij për ta shpaguar besimin.

“Do të përpiqemi të paraqitemi sa më mirë që është e mundur në kampionatin e ri. Shpresojmë që tifozët tanë do të na qëndrojnë afër për të na përkrahur gjatë gjithë kampionatit. Kam shumë dëshirë të vazhdoj të punoj sa më shumë dhe kështu ta shpërblej besimin që ma ka dhënë Palermo”, ka deklaruar Ujkani për Skysport24.

Ndërkohë, 23 vjeçari ka folur edhe rreth objektivave të tij që i ka me Palermon në edicionin e ri. Ujkani shpreson që në kampionatin e ri të pësojë sa më pak gola.

“Sa i takon objektivave, duhet të mendojmë të punojmë sa më shumë dhe më mirë, e mbi të gjitha të pësojmë sa më pak gola. Por, e rëndësishme do të jetë që në shtëpinë tonë të çojmë sa më shumë rezultate pozitive, kurse të tjerat janë sekondare”, ka theksuar ai.

Ai ka treguar se portieri i Kombëtares së Italisë, Gianluigi Buffon, është inspirues i tij, por fjalë të mira ka folur edhe për portierin e Udineses, Samir Handanovic.

“Modeli më i mirë për mua është Buffon, por shpresoj t’i ndjek gjurmët e Handanovic”, ka përfunduar Ujkani i cili në verën e vitit 2007 ishte transferuar te Palermos nga ekipi U-19 i Anderlechtit.

Ai në vitin 2009 u huazua te Novara, që shumë shpejt u bë bashkëpronare e kartonit të Ujkanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›