E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndizet qyteti, 40 mijë vetë për "Birra Korça"

Mbrëmë Korça ka vazhduar Festën e Birrës në natën e tretë të saj. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Për gati 40.000 festues është "derdhur" lumë birrë e llojeve të ndryshme, por mbretëresha e festës si edhe në netët e kaluara ka qenë "Birra Korça". Mbizotëruese në të gjitha tavolinat ishin krikot e mbushura me birrën bionde dhe brune të Korçës. Të gjithë me krikot e birrës dhe mezet e zgjedhura, sfidonin temperaturën e lartë që vazhdoi deri në mesnatë. Në skenën e ngritur tek hyrja e pallatit të sportit "Tamara Nikolla", pjesëmarrësit kanë ndjekur koncertin me repertorin më të zgjedhur të këngëtarëve Sajmir Braho, Eneida Tarifa dhe të grupeve "Burn" e "Djemtë e detit".
Në vitin e dytë të organizimit të kësaj feste, pjesëmarrja në të është thuajse dyfishuar. Dyndja është krijuar nga pjesëmarrja e banorëve të qytetit dhe gjithë zonës juglindore, por edhe nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra madje nga Greqia e Maqedonia. Këtë fakt e dëshmojnë targat e automjeteve të parkuara në rrugët e sheshet e qytetit, por edhe nga deklarimet e pronarëve të hoteleve, që dje shpreheshin se nuk kishin më vende të lira për miqtë e vonuar të Festës së Birrës. Festa të tillë kaq masive Korça nuk ka pasur ndonjëherë. Banorëve të saj, me investimin aq serioz në fabrikën e birrës dhe me faktin se "Birra Korça" është cilësore dhe ka parametrat e birrës tradicionale të saj, u është kthyer krenaria. "Birra Korça" i riktheu krenarinë Korçës dhe Korça po i rrit imazhin birrës. Festa e Birrës, tregoi edhe një fakt tjetër mjaft domethënës: "Birra Korça" po i rikthen edhe kulturën festive kaq masive Korçës, që jo më larg se dy vjet më parë i kalonte ditët e gushtit në përgjumjen karakteristike të gjithë vitit. Shumica e pjesëmarrësve ka qenë edhe netët e tjera në festë, për të shijuar koncertin dhe "Birra Korça". Erisa Hysa, vajza 17-vjeçare që ëndërron të bëhet artiste, u shpreh: "Së bashku me shoqërinë kemi tre net, që po vijmë këtu në Festën e Birrës dhe po kënaqemi. Pimë birrë, por edhe këndojmë së bashku me artistët e ardhur nga gjithë vendi. Për mua këto net janë më të bukurat e kësaj vere. Sa keq që edhe një natë na ka mbetur". Ndërsa Ermiri, shoku i saj shpreh keqardhje që nuk ka qenë dy netët e parë të festës, pasi ishte me familjen në plazh.
Nën euforinë që të krijon birra njerëzit flisnin shpenguar. Mes tyre takuam edhe Dhimitër Lacen, një emigrant prej 17 vitesh në Gjermani. "Kur ika isha shumë i ri dhe nuk e pija birrën. Atje në mërgim e mësova ta shijoj. Në Gjermani përdoren nga njerëzit birra tradicionale popullore. Më vjen mirë që shijen e tyre e gjej edhe tek "Birra Korça". Së bashku me të afërmit e mi kam ardhur në festë dhe po e shijojmë të shoqëruar edhe me kërnacka. Më kishte marrë malli të festoja kështu, këtu në qytetin tim, ndaj dua të përfitoj nga rasti dhe t'i falënderoj organizatorët që kanë organizuar Festën e Birrës vetëm këtu në Korçë." Ende nuk janë bërë përllogaritje të sakta dhe nuk jepen shifra, por një gjë është e sigurt, kaq birrë nuk është konsumuar asnjëherë për tre ditë në Korçë. Drejtori i fabrikës, Fatbardh Çangu ka bërë të ditur se, ka muaj që fabrika punon me kapacitetin e saj të plotë dhe birra tregtohet tërësisht në Korçë e në gjithë vendin, duke konkurruar me të gjitha llojet e birrave që janë në treg.

Artistët pas kuintave

Këngëtari i njohur,  Saimir Braho thotë se para se të nisej për në Korçë kishte dëgjuar se në këtë qytet po bëhet nami, ka kërnacka, birra dhe koncerte të bukura deri disa orë pas mesnate. "Këto fjalë të rastësishme ma rritën gëzimin. Atë çast me ftesë të Bashkisë së Korçës isha duke u nisur për koncert në Korçë. E tregova këtë dhe dua pa teprime të them se, ka një lezet më të madh se në Tiranë kjo kërnacka me birrën këtu në Korçë. "Birra Korça" dhe kërnacka korçe e prezantojnë vetë veten, kështu që nuk dua të bëj komente. Festa është e mrekullueshme. Unë isha edhe vjet në këtë festë, por sivjet unë pashë shumë herë më tepër njerëz. Ata ishin shumë të interesuar jo vetëm për birrën dhe mezet, por edhe për koncertin".

Eneida Tarifën e takuam sapo përfundoi interpretimet e një vargu këngësh të njohura të repertorit të saj. Teksa u drejtua tek grupi i artistëve kërkoi të freskohej me një kriko "Birra Korça" bionde. "Kur më ra në dorë ftesa për të ardhur në Festën e Birrës këtu në Korçë thashë me vete: Pse jo, është bukur të jesh në Korçë në këtë festë. Më gëzoi fakti, që do të këndoja live dhe menjëherë konfirmova pjesëmarrjen. Teksa po këndoja u ndjeva shumë mirë, publiku korçar është gjithmonë mikpritës për ne artistët. Eshtë kjo arsyeja që unë dua që sa herë të vij këtu të sjell repertor të ri dhe të zgjedhur, sepse korçarët tani janë bërë fansat dhe miqtë e mi".

"Birra Korça", vlerësim për cilësinë
Tek një tavolinë e festës takuam edhe Miço Dhimën, një burrë rreth të 70-ve. "Piva dy netët e para si atëherë kur isha i ri, nga tri kriko birrë të shoqëruar me meze dhe u kënaqa. Nuk më dëmtoi, përkundrazi kam fjetur si shqerrë. Sot i thashë plakës dhe djemve: Hajdeni të shkojmë në festë! Këta s'ma prishën dhe ja ku jemi. U bë shkak Festa e Birrës që të dilnim të gjithë së bashku. Festa të tilla duam të organizohen më shpesh". Fjalët e të moshuarit na kujtuan faktin se, cilësia e "Birra Korçës" është vlerësuar edhe nga të huajt. "Birra Korça" është një nga të paktat në botë që është certifikuar sipas standardit ISO 22.000. Kjo dëshmon se prodhuesit e saj kanë kombinuar standardet e menaxhimit të përgjithshëm të cilësisë me ato të sigurisë së produktit ISO+HAÇP. Ishin këta tregues cilësorë, të cilët bënë që "Birra Korça" vitin e kaluar, në një konkurs ndërkombëtar të zhvilluar në Londër, të nderohej me Çmimin e Artë për cilësinë e saj shumë të mirë.

Të rinjtë, imazhi i "Birra Korçës"
Një grup prej 18 vajzash e djemsh 20-vjeçarë përbëjnë imazhin e "Birra Korçës". Ata kanë veshur "kostumin" e kompanisë IHB Group: një kapele të zezë ku me germa të arta është shkruar "Birra Korça", ndërsa në një cep të saj kujtohet se rruga e kësaj birre daton në vitin 1928. Edhe bluza që ata kanë veshur është e zezë dhe me mbishkrimin "Birra Korça". Menaxheri i marketingut të kompanisë, Ilir Toçi i ka shpërndarë në 8 tendat që janë ngritur në mjediset e festës. Pranë ftohësve që tregtonin "Birra Korça", këta djem e vajza tregtojnë birrën më popullore në qytet. Çdonjëri prej tyre u ofron klientëve të shumtë që dynden te këta banakë një buzëqeshje, përshëndetje dhe bashkë me krikon e birrës edhe një falënderim, që ata zgjedhin mes llojeve të birrave që tregtohen "Birra Korçën". Me rininë, freskinë e bukurinë e tyre ata rrisnin imazhin e mirë të kësaj birre. "Duam që konsumatorët të kënaqen me birrën tonë, ndaj përpiqemi të shërbejmë me kulturë dhe shpejt, që radha para banakut të tretet sa më parë", thotë Johani. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›