E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjekje penale edhe për nëntë tregtarë celularësh

Lufta e policisë për tregun e zi të celularëve duket se nuk ka përfunduar ende, pasi edhe nëntë persona të tjerë janë dërguar për ndjekje penale, ndërkohë që janë sekuestruar një sërë materialesh të tjera. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se operacioni "Black Market 2" ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme. Në kuadër të këtij operacioni, i realizuar nga sektori kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, u mundësua sekuestrimi i një sasie tjetër të konsiderueshme aksesorësh të ndryshëm, si edhe u dërguan për ndjekje penale nëntë tregtarë të tjerë, të cilët po tregtonin në afërsi të Postës Shqiptare në mënyrë të kundërligjshme, pa licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti. Sipas policisë, Pëllumb Gjata, 57 vjeç e Albend Xhelili, 46 vjeç, rreth orës 11.30, u kapën te Posta Qendrore, duke tregtuar mallra kontrabandë. Atyre iu bllokuan 40 karikues, shtatë palë kufje, 28 unaza sermi, 4 varëse dhe 20 mijë lekë. Ndërkaq, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Lavdim Balën, 33 vjeç e Bledar Shytin, 28 vjeç, sepse në orën 12.00, po te Posta Qendrore, u kapën duke tregtuar 18 celularë dhe 1 karikues. Ndërsa Astrit Sadikaj e Bilbil Braha, nga 33 vjeç, u kapën duke tregtuar 228 celularë dhe 65 karikues. Gjithashtu, për ndjekje penale u dërguan edhe Fitor e Fluturim Adialaj, përkatësisht 39 dhe 32 vjeç dhe Bruno Toska, 48 vjeç, të cilët u kapën me 13 celularë, 101 karikues, 73 numra AMC dhe 8 palë kufje. Policia tha se operacioni do të vijojë edhe në ditët e tjera, ku do të ashpërsohen masat e arrestit nëse do të ketë raste përsëritjeje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›