E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale katër personave për dokumente të falsifikuara

Katër raste mashtrimesh me dokumente false janë zbuluar nga antikrimi ekonomik, ndërkohë që të dyshuarit janë dërguar për ndjekje penale. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se seksioni kundër krimit ekonomik dhe financiar filloi procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Tahir P., 58 vjeç, banues në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, në shkurt të këtij viti, në Njësinë Bashkiake Nr. 1, ai ka aplikuar dhe ka nxjerrë letërnjoftim elektronik me dokumente të falsifikuara. Ndërkaq, një 47-vjeçar ka denoncuar se persona të paidentifikuar kanë nxjerrë pasaportë në emrin e tij. Sipas të dhënave hetimore, Gëzim M., 47 vjeç, banues në Tiranë, kallëzon se një person i paidentifikuar ka nxjerrë pasaportë me të dhënat e tij dhe fotografinë e një shtetasi tjetër. Policia tha se me regjistrimin e këtij kallëzimi ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Më tej, policia shpjegoi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Shyqyr H., 17 vjeç, banues në Tiranë. Ky person, rreth një javë më parë, ka aplikuar për pasaportë me dokumente të falsifikuara. Policia tha se ende nuk dihet shkaku për kryerjen e këtij veprimi nga ana e tij, por po punon për dokumentimin e plotë të veprës penale të konsumuar nga adoleshenti. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin Besim T., 45 vjeç. Ky person dyshohet se duke falsifikuar dokumentet e pronës, pikërisht në Ndroq, i ka zënë rrugën në tokën e tij, një tjetër personi. Për të gjitha rastet, policia shpjegoi se i ka referuar materialet Prokurorisë së Tiranës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›