E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale për zjarrvëniet në pyje kullota

26/08/2010 Ministria e Mjedisit

Kushtet atmosferike dhe thatësira e tejzgjatur janë bërë shkak i përhapjes së shpejtë të zjarreve në shumë rrethe të vendit. Në shumicën e rasteve zjarret janë shkaktuar nga aktivitetet njerëzore si pakujdesia, djegia e kullotave, djegia e mbeturinave, zjarre të qëllimshme për konflikte pronësie etj. Për, të gjitha rastet abuzuese ku do të verifikohet vënia e qëllimshme e zjarrit në pyje apo kullota do të procedohet me ndjekje penale. Nga monitorimet e fundit pohohet se janë bërë 20 denoncime pranë organeve përkatëse për shkatërrim prone me zjarr. Në raportimin e bërë gjatë ditës së djeshme nga zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, është konfirmuar se zjarret më problematike kanë rezultuar në rrethet Vlorë (Himara), Sarandë (Navarice dhe Leshnicë), Gjirokastër (Dropull i Sipërm), Lezhë (kurorë e gjelbër e qytetit), dhe Shkodër (fshati Zas). Po ashtu shfaqje zjarresh janë vënë re edhe në rrethet Pukë, Tepelenë, Berat, Kukës, Mallakastër, Korçë, Delvinë e Tropojë. Në shkallë vendi janë djegur rreth 120 ha pyje. Deri tani nga të dhënat operative rezulton se dëmtimet në pyje të lartë janë minimale. Megjithatë, masat e ndërmarra nga e shërbimi pyjor dhe Policia Pyjore në bashkëpunim me komunitetin vendor, strukturat e Zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile, kanë bërë që këto zjarre të djegin sipërfaqe relativisht të vogla. “Vëmendje e veçantë i është kushtuar monitorimit të situatës në parqet kombëtare. Shfaqje zjarri ka pasur vetëm në parkun kombëtar të Valbonës ku zjarri është izoluar pa shkaktuar dëmtime. Sipërfaqet më të mëdha janë djegur në rrethin e Sarandës rreth 38 ha pyje dhe në rrethin e Vlorës rreth 20 ha pyje”, është shprehur zëvendësministri i Mjedisit, Auron Mëneri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›