Ndodhë edhe kjo: mashtrimi me mesfushorin Herrera

Merkatoja e vitit 2013 është mbyllur mbrëmë por një çështje në veçanti mund të vazhdojë të bëjë zhurmë edhe për disa kohë.
Nga Madridi vijnë zërat për një telenovelë të gjatë deri në kufijtë e komikes që nëse rezulton e vërtetë, do të regjistrohet në librin e bllofeve. Nuk bëhet fjalë për një lojë pokeri por për bisedimet që nisën për transferimin e mesfushorit të Athletic Bilbaos, Ander Herrera në radhët e Manchester United. Sipas mediave iberike dhe atyre britanike, delegacioni i Man. United që u paraqit në zyrat e skuadrës baske, përbëhej nga njerëz që nuk kanë aspak lidhje me shoqërinë angleze.
Tre të panjohurit kishin gjithçka që u nevojitej për t’u marrë seriozisht nga agjentët e lojtarit. Me kostum të zi dhe nga një valixhe në dorë, ata arritën t’i bindnin drejtuesit e Athletic se ishin të gatshëm për të paguar klauzolën prej 36 mln Eurosh për blerjen e lojtarit. Kaq bindës rezultuan në propozimin e tyre tre përfaqësuesit falsë të Manchester United, sa mediat më prestigjioze të sportit e konsideruan një çështje të mbyllur transferimin e talentit spanjoll në “Old Trafford”.
Gjithsesi, e gjithë kjo histori mbetet ende mister sepse pak dritë është hedhur deri në këto momente ku edhe vetë lojtari vazhdon të mbetet i paqartë rreth asaj që ka ndodhur në orët e fundit të merkatos./indeksonline/