Katanec premton luftë, por i trembet tifozërisë
Tekniku slloven shpall listën anti-Shqipëri: Do të bëjmë të pamundurën, por janë të fortë
Pasi ka bërë zyrtare listën për ndeshjet ndaj kombëtares shqiptare dhe asaj qipriote, tekniku i Sllovenisë Sreçko Katanec ka thënë se në këto dy ndeshje luhet gjithçka. Sllovenia nuk është në pozicion komod në renditjen e grupit prandaj vetëm fitoret në të dyja ndeshjen do ta nxirrnin nga situata e vështirë në të cilën ndodhen.
Këto dy ndeshje nuk janë të rëndësishme vetëm për Slloveninë, por për të gjithë ecurinë e grupit megjithatë Katanec e ka përqendruar vëmendjen tek ekipi i tij. Numri një i kombëtares sllovene kërkon hakmarrje për humbjen që ekipi i tij pësoi në Tiranë dhe ka marrë të gjitha masat për të suprizuar teknikun De Biazi.
E dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë në këto dy ndeshje. Na duhen patjetër gjashtë pikë sepse me një pikë nuk arrijmë asgjë. Lojtarët që kam grumbulluar i kam zgjedhur me kujdes për arsye se kam gjithçka në mendje për modulin se si do të luajmë, shtoi numri një i bankinës sllovene. Katanec u ka bërë thirrje lojtarëve që të mos përsëriten gabimet si në ndeshjet e mëparshme dhe kështu mund të arrihet tek suksesi.
Duhet të përgatitemi shumë për të arritur pikët që kanë kundërshtarët. Diçka e tillë do ta bëjë akoma më të bukur grupin, por do të rrisë edhe shpresat e kombëtares tonë për kualifikimin në Botëror. Nëse e meritojmë Botërorin atëherë duhet ta tregojmë në këto dy ndeshje që janë jetike për ne, shtoi tekniku slloven.
