Ndoka, Berishës: “Reflekto ndaj sulmeve dhe diversioneve ndaj PDK-së”
Nga Kurbini, kryetari demokristian, Nard Ndoka, i bëri thirrje kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, të ndalë sulmet dhe diversionet ndaj demokristianëve. “Një kryeministër serioz, një doktor dhe një qytetar human, kur vritet një kundërshtar politik, i shpreh ngushëllime. Berisha nuk e bëri këtë sepse nuk është i tillë”, - u shpreh Ndoka. Më tej ai tha se Berisha krenohet me spote për sukseset e qeverisjes në shëndetësi, duke përmendur ligje e vendime që në fakt mbajnë firmën e Ndokës si ministër i Shëndetësisë. Duke folur për të djathtën dhe reformat, Ndoka tha se PDK-ja dhe grupi i saj parlamentar kanë mbështetur çdo vendim për reforma në Kuvend, çdo nismë që ka qenë në dobi të qytetarëve dhe PDK-ja ishte forca përcaktuese edhe në zgjidhjen e krizave politike, si ajo e zgjedhjes së presidentit, apo dhe mocione të ndryshme parlamentare që rrezikonin qeverinë “Berisha”. Ndoka u kujtoi demokratëve dhe Berishës se pas 28 qershorit ai dhe partia e tij do të kërkojnë votën parlamentare të PDK-së sepse “ne dhe vetëm ne jemi forca përcaktuese e maxhorancës së ardhshme”.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Ndoka theksoi se është e turpshme dhe e patolerueshme që në vitin 2009, kohë kur vendi është anëtarësuar në NATO dhe aspiron të anëtarësohet në BE, të zhvillohen fushata të tilla agresive, të mbushura me fyerje dhe shpifje dhe duke u bërë shantazh dhe terror njerëzve me vendin e punës, apo heqjen e asistencave sociale. “Asnjë anëtar i PDK-së nuk ka qenë përfshirë në incidente të tilla, gjë që e ndan atë dhe filozofinë e saj me atë të dhunës dhe frikës që përdorin partitë e mëdha”, - është shprehur Ndoka, ndërsa i bëri apel kreut demokrat të reflektojë, të pranojë verdiktin e votës së lirë e të fshehtë dhe të mos influencohet nga persona poshtë tij, të cilët po i sjellin probleme të mëdha Partisë Demokratike.
26 Qershor 2009