Atentat kundër Hamid Karzait në Kabul
Frikë në Kabul. Presidenti afgan, Hamid Karzai, i ka shpëtuar një atentati të talebanëve, ndërsa merrte pjesë në një paradë ushtarake të organizuar për të celebruar përvjetorin e 16 të çlirimit të Kabulit nga ana e muxhahedinëve. Në sulm kanë mbetur të vrarë edhe tre luftëtarë talebanë. Tre viktima janë regjistruar edhe mes pjesëmarrësve në ceremoni, ndër ta edhe një fëmijë 10 vjeç dhe lideri 40-vjeçar i një pakice etnike, të cilëve pak më vonë u është shtuar edhe një deputet afgan, që kishte mbetur i plagosur në sulm dhe që vdiq gjatë operacionit në spital. Të shumtë janë edhe të plagosurit, mes të cilëve edhe një parlamentar tjetër, disa ushtarë dhe disa truproja. Sulmi u mor menjëherë përsipër nga talebanët. "Kemi qenë ne autorët e sulmit. Kemi hedhur raketa kundër paradës. Kishim gjashtë nga njerëzit tanë dhe tre prej tyre kanë mbetur të vrarë", tha Zabidullah Muhxhahid, një zëdhënës taleban. Karzai është kthyer menjëherë në pallatin presidencial, shëndoshë e mirë, ka thënë një burim qeveritar. Pak më vonë ai është shfaqur në televizion. "Për fat të mirë, forcat e sigurisë i kanë rrethuar menjëherë", ka deklaruar Presidenti gjatë një fjalimi në televizion. "Disa prej tyre janë arrestuar", ka shtuar ai, duke nënvizuar se situata ishte nën kontroll. Sipas disa dëshmive, militantët talebanë kanë hyrë në aksion sapo Karzai ka zënë vend në tribunë, pas një inspektimi para ushtarëve që merrnin pjesë në paradë. Disa pretendojnë se talebanët qëlluan nga një godinë afër vendit të paradës ku ishin angazhuar njëmijë ushtarë. Bashkë me Karzain ishin në tribunë edhe anëtarët e qeverisë së tij, përfaqësues të Parlamentit dhe personalitete të huaja. Mes tyre, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, një përfaqësues i OKB-së, komandanti i forcave ndërkombëtare në Afganistan dhe gjenerali amerikan, Dan MekNill. Asnjë prej tyre, ndërkohë, nuk është lënduar. "Po përfundonin 21 të shtënat me top kur dëgjova një shpërthim të fuqishëm dhe një re tymi në të majtë të paradës", ka treguar ambasadori britanik, Sherard Kouper-Koules. "Më pas, ka shtuar ai, dëgjova të shtëna armësh që vinin nga çdo drejtim. Pas disa minutash hezitim, truproja ime më ndihmoi të largohesha, duke u zvarritur për tokë". Kur filluan shpërthimet, të shkaktuara me sa duket nga raketat e hedhura prej talebanëve dhe të shtënat e armëve, të gjithë janë shtrirë për tokë dhe sapo kanë mundur, janë larguar nga parada. Menjëherë pas atentatit janë ngritur një numër i madh postblloqesh dhe janë përforcuar kontrollet në kryeqytet, në kërkim edhe të subjekteve të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në atentat. Një ditë më parë, ndërkohë, disa ambasada të huaja në Afganistan u kishin bërë thirrje shtetasve të tyre të lëviznin sa më pak që të ishte e mundur gjatë këtyre ditëve, pikërisht në prag të ceremonisë, në vigjilje të së cilës ishte hapur fjala për atentatorë vetëvrasës që qarkullonin në Kabul. Edhe më herët, ndërkohë, Presidenti Karzai ka qenë në shënjestër të atentateve kundër tij dhe fatmirësisht ka dalë i paprekur prej tyre. Korrespondentët tregojnë se pas këtij atentati të fundit, pati panik nëpër rrugët e Afganistanit, pasi njerëzit nuk e dinin se sa serioz kishte qenë ky incident. Parada ushtarake, që ishte organizuar nën masa të rrepta sigurie, prej ditësh u anulua menjëherë më pas. Policia dhe ushtria tani kanë zonën nën kontroll.
Atentatet kundër Karzait
Qershor 2007
Talebanët hodhën raketa mbi një shkollë në provincën Ghazni, në Afganistan, ku Presidenti Karzai po mbante një fjalim. Nuk pati asnjë të plagosur
Shtator 2004
Sërish raketa mbi fushën e uljes së një helikopteri që po e dërgonte Karzain në Gardez, në juglindje të vendit. Fatmirësisht, asnjë i plagosur
Shtator 2002
Militantë, të veshur me uniforma ushtarake, qëlluan mbi makinën e Karzait në Kandahar. Si pasojë u plagos guvernatori i provincës dhe një truprojë
Atentatet kundër Karzait
Qershor 2007
Talebanët hodhën raketa mbi një shkollë në provincën Ghazni, në Afganistan, ku Presidenti Karzai po mbante një fjalim. Nuk pati asnjë të plagosur
Shtator 2004
Sërish raketa mbi fushën e uljes së një helikopteri që po e dërgonte Karzain në Gardez, në juglindje të vendit. Fatmirësisht, asnjë i plagosur
Shtator 2002
Militantë, të veshur me uniforma ushtarake, qëlluan mbi makinën e Karzait në Kandahar. Si pasojë u plagos guvernatori i provincës dhe një truprojë