E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Kodi të ndryshojë sa nuk është vonë

PDK e LSI janë paraqitur sërish bashkë në protestën e djeshme organizuar si një formë reagimi kundër ligjit elektoral, i miratuar me votat e dy partive të mëdha. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, tha se Rama dhe Berisha po përpiqen që të vjedhin votat me Kodin e ri Elektoral, për të cilin ai ka nënvizuar se ka ende kohë për ta ndryshuar. “Ne jemi sot këtu për të mbrojtur votën tonë. Jo se kemi frikë nga Rama dhe Berisha, që po përpiqen për t’i vjedhur votat njëri-tjetrit. Komisionerët tanë do të jenë në numërimin e votave. Këta drejtues partish, me kodin e vjedhjes, i vunë në pikëpyetje zgjedhjet e ardhshme. Ka akoma kohë për një reflektim, për ta ndryshuar kodin sa nuk është vonë”, - ka pohuar Ndoka. I pranishëm në këtë miting ishte edhe kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili gjatë fjalës së tij ka theksuar se në këto momente shqiptarët po ndiejnë mungesën e lirisë. “Kjo është çështje e gjithë shqiptarëve. Ne që e dimë se ç’është diktatura, e ndiejmë sot mungesën e lirisë. Ne jemi këtu për një votë të qytetëruar dhe kundër atyre që bëjnë një marrëveshje në kurrizin e tyre, pasi do ta pësojnë vetë. Ne jemi një komb që kemi nevojë për lirinë e lumenjve dhe jo qetësinë e kënetave”, - është shprehur Shehi.

Koçi: Rama-Berisha, korrupsion konsensual

Kryetari i PS’91, Petro Koçi, gjatë fjalës së mbajtur në tubimin e pasdites së djeshme në sheshin “Skënderbej” akuzoi kryetarin e PS-së, Rama, dhe Kryeministrin Berisha për “korrupsion konsensual”. Sipas tij, Rama e Berisha, përmes ndryshimeve në Kushtetutë e më pas në Kodin Zgjedhor, kanë sjellë pakontrollueshmërinë e pushtetit. “Dyshja Rama-Berisha po e nxjerr politikën jashtë kontrollit të qytetarëve. Bashkëqeverisja e tyre, e ndryshimeve të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, përbën pakontrollueshmërinë e pushtetit. Korrupsioni konsensual mbi zgjedhjet vjen nga etja për fitime të paligjshme në prona e para”, - është shprehur Koçi. Më tej, ai vuri në dukje se me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, Rama i dha shkelmin e fundit unitetit të së majtës dhe se vuri interesin e bashkëpunimit me Berishën mbi interesin e bashkëpunimit me të majtën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›