E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI, protestë në shesh, policia rrethon PS-në

Selia e Partisë Socialiste u rrethua dje pasdite nga forca të Policisë së Shtetit për shkak të protestës së organizuar nga partitë që kontestojnë Kodin e ri Zgjedhor. Pavarësisht se protestuesit nuk paralajmëruan se mund të kalonin para selisë së partisë më të madhe të opozitës, të gjitha rrugët e mundshme për të hyrë në seli u bllokuan nga forca e policisë, e jo vetëm me praninë e tyre fizike, por edhe me barriera metalike. Në përfundim të protestës në sheshin “Skënderbej”, protestuesit nxituan për të shkuar drejt Kryeministrisë, pa tentuar që të hynin në rrugicën që të çon para selisë rozë. Forcat e shumta të policisë duket se u justifikuan me qarkullimin e një lajmi mes gazetarëve dhe mes protestuesve se mbështetës të PS’91 do të protestonin para selisë. Ndaj, pa filluar tubimi, u bllokuan hyrjet për në selinë qendrore, por përfaqësues të PS’91 mohuan se kishin një qëllim të tillë.

Protesta

LSI, PDK, PS’91, përfaqësues të shoqërisë civile, së bashku me mbështetës të ardhur nga thuajse të gjitha rrethet e vendit, protestuan dje sërish kundër miratimit të Kodit Zgjedhor, i cili sipas organizatorëve, nuk garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Protesta nisi me rreth 30 minuta vonesë, me fjalën e kryetares së LRI-së, Erisa Xhixho, e ndjekur nga numri dy i PAD-së, Arben Demeti, Nard Ndoka, Petro Koçi, Sazan Zguri, Artur Zheji e Nora Malaj. Momente që shkaktuan te qeshura mes protestuesve ishte prania e poetit Arben Duka, i cili kishte bërë një tjetër poezi, kushtuar bashkëpunimit të dy partive të mëdha, por që ironizonte mjaft kryetarin e PS-së, Edi Rama, dhe deputetët e kësaj partie.

I fundit e mori fjalën kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili edhe një herë shpjegoi para mbështetësve të partive që kontestojnë Kodin Zgjedhor arsyet përse u futën ne një grevë urie dhe çfarë e rrezikon vendin si pasojë e këtij ligji elektoral.

"Ne hymë në grevë urie, morëm një vendim të padëshirueshëm, por të domosdoshëm për të sensibilizuar të gjithë shqiptarët për rrezikun që mund të vijë, por edhe partnerët ndërkombëtarë", - tha Meta. Duke iu referuar kryetarit të PD-së, Sali Berisha, dhe kryetarët së PS-së, Edi Rama, Meta tha se ata kishin vendosur që në mënyrë antidemokratike të bënin fakt të kryer një kod elektoral me probleme shumë të mëdha. Sipas tij, nisma e grevës, një akt i paprecedent, u dogji planin Ramës e Berishës, për të bërë të mundur zgjedhje në sipërfaqe të dukshme, por që në thelb kanë interesa vetjake korruptive. Ndër të tjera, Meta foli edhe për ndërkombëtarët, që sipas tij, tashmë e kanë kuptuar shumë mirë rrezikun që po i bëhet demokracisë së Shqipërisë. "Kodin e kaluan, por e gjithë bota e pa si u bë ky proces, si në asnjë vend tjetër që aspiron të hyjë BE. E kaluan kodin duke i vënë njollë demokracisë në Shqipëri, duke treguar se sa të korruptuar dhe peng të njëri-tjetrit janë Rama e Berisha", - shtoi kryetari i LSI-së. Sipas liderit të LSI-së, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestuara. Duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm në protestë, Meta tha: "Të gjithë shqiptarët janë këtu për të qenë garantë të votës sonë, të së ardhmes të fëmijëve tanë. Të gjithë ne e kuptojmë se politika e re e Ramës është politika e opozitës që bën marrëveshje nën rrogoz”, - tha ai. Më tej, nën drejtimin e krerëve të partive e faktorëve të tjerë që mbështetën protestën, mbështetësit iu drejtuan Kryeministrisë, duke përsëritur parullat e këtij mitingu si: “Vota është e shenjtë”, “Jo, jo, jo diktaturës”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›