E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e naftës, reagojnë deputetët



Indiferenca e çmimeve të naftës në tregun shqiptar, kur ndërkohë në bursë është ulur nën 50 dollarë, ka shkaktuar edhe reagimin e deputetëve. Deputeti demokrat, Bujar Leskaj, tha dje në Kuvend se situata aktuale është e papranueshme dhe kërkoi ndërhyrjen e institucioneve të shtetit për të normalizuar situatën. Ai shtoi se çmimi i karburanteve ka rënë në botë, por çuditërisht, në Shqipëri nuk po ndodh një gjë e tillë. “7 firmat e karburanteve që zotërojnë sot 85% të tregut të karburanteve në vend, vijojnë të mbajnë çmime të larta të këtij produkti, ndonëse në tregun botëror ka rënie të tyre”, - deklaroi Leskaj, i cili bëri një kërkesë, që Kuvendi duhet të mbështesë Autoritetin e Konkurrencës për një hetim mbi tregun e hidrokarbureve në Shqipëri. Dje ka reaguar edhe deputeti i majtë, Taulant Balla. Ai tha se fermerët po marrin naftë të shtrenjtë dhe kërkoi nga qeveria që të reagohet përkundrejt kësaj situate. “Sot fshatarët duhet të paguajnë dy herë më shtrenjtë për farërat për të mbjellë, paguajnë dy herë më shtrenjtë çmimin e naftës që u ishte premtuar pa akcizë, por ka një akcizë që u është rritur. Ishte 21 lekë, është bërë 87 lekë dhe ju premtuat se do ta ulnit akcizën. Paguajnë 10 mijë lekë më shumë për plugimin e një dynymi tokë, paguajnë 30 mijë lekë më shumë për plehrat kimike, paguajnë 11 mijë lekë më shumë për korrjen dhe 5 mijë lekë më shumë për shirjen”, - tha Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›