Ndoka: “Maxhoranca e djathtë ka harruar ish-të përndjekurit politikë”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka ngritur shqetësimin e lënies në harresë nga maxhoranca e djathtë të shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Ndoka ka bërë të ditur se maxhoranca nuk ka mbajtur asnjë premtim të bërë kësaj shtresë të vuajtur, ndërkohë që ka ardhur në pushtet me votat e tyre. “Për fat të keq qeveria e maxhorancës së djathtë nuk mbajti asnjë nga premtimet e shumta që i bëri kësaj shtrese të shumëvuajtur dhe që vuan nga politikat përjashtuese të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë me mentalitet komunist që nuk ndjejnë asnjë borxh moral dhe shpirtëror, por as edhe detyrim ligjor, për të dëmshpërblyer vuajtjet e padrejta të kësaj shtrese”, është shprehur Ndoka. Sipas tij tashmë që kanë kaluar gati njëzet vjet nga përmbysja e diktaturës, Shqipëria ende nuk ka një distancim të qartë nga diktatura, nuk ka një dënim publik dhe ligjor të krimeve të komunizmit. “Ne e ndjejmë se edhe gjatë këtyre viteve të tranzicionit, kur Shqipëria është përfshirë në procesin e zhvillimeve demokratike, në procesin e ndërtimit të shtetit të së drejtës, të bazuar mbi ligjin, pronën private, të drejtat dhe liritë e individit, përsëri individë që vijnë nga e shkuara e errët, kanë bërë të gjitha përpjekjet për t’u demonstruar shqiptarëve se demokracia është një sistem i korruptuar, një sistem i kriminalizuar, një sistem që nuk sjell zhvillim po degjenerim të vlerave.
17 Tetor 2008