E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia liron fëmijën e marrë peng, arreston rrëmbyesin



Lezhë – Policisë i janë dashur negociata të gjata me autorin e pengmarrjes për lirimin e 6 - vjeçarit. Pak pasi ky i fundit ka dorëzuar pengun uniformat blu të Lezhës e kanë vënë në pranga 25 – vjeçarin Gëzim Marku, ndërsa nëna e fëmijës u shoqërua për në ambientet e policisë ku ka sqaruar lidhjet e saj me pengmarrësin.
Aksioni
Lirohet pas rreth 20 orësh fëmija i rrëmbyer në Lezhë nga 24 vjeçari Gëzim Marku. 6 vjeçari M. Prenga nxënës i klasës së parë u morr peng rreth orës 20:00 të mbrëmjes së dy ditëve më parë nga 24 vjeçari që ishte liruar vetëm para disa ditësh nga burgu. Pas një dite negociatash nëpërmjet telefonit, me policinë e Lezhë, autori i pengmarrjes ka liruar 6 vjeçarin ndërsa policia ka bërë të mundur edhe arrestimin e Gëzim Markut. Në komisariat është shoqëruar edhe nëna e fëmijës, e cila ka sqaruar lidhjet e saj me pengmarrësin. Nga të dhënat e para rezulton se nëna e fëmijës dhe rrëmbyesi kanë pasur lidhje mes tyre, dhe pas grindjes 24 vjeçari Marku, është hakmarrë duke i marrë peng fëmijën. Madje në komunikimin me telefon që drejtuesit e policisë së Lezhës kanë pasur me rrëmbyesin, ky i fundit është shprehur se e ka marrë vogëlushin pasi dyshonte se ishte i biri. Policia nuk ka vërtetim të saktë për pretendimet e rrëmbyesit tashmë të prangosur.
Rrëmbimi
Në policinë e Lezhës mbërriti njoftimit se një fëmijë 6 vjeçar është marrë peng nga “babai” i tij. Uniformat blu u vunë në kërkim të autorit dhe fëmijës. 24 vjeçari kishte pak ditë që ishte liruar nga burgu. Agjentët antikrim u vunë në kërkim të Gëzim Markut, i cili dyshohej se ishte edhe autori i marrjes peng të një fëmije 6 vjeçar, dje në qytetin e Lezhës. Sipas të dhënave të para të policisë 24 vjeçari, i cili kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu. Forcat e komisariatit të Lezhës kanë shoqëruar në komisariat nënën e fëmijës për të sqaruar lidhjet e saj me të dyshuarin si autor të pengmarrjes si dhe zbardhjen e arsyeve që kanë nxitur 24 vjeçarin të ndërmarrë një veprim të tillë. Nga të dhënat e para 24 vjeçari mendonte se vogëlushi është djali i tij.

Rrëmbeu një shtetas për arsye përfitimi, policia e vë në pranga

Tiranë - Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Seksionit të Posaçëm Kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit pas denoncimit të bërë pranë zyrës së tyre nga ana shtetasi Y. S., se më datë 8 shtator 2008 është mbajtur peng në fshatin Priskë për rreth 5 orë për arsye përfitimi, kanë organizuar punën dhe brenda një kohe të shkurtër kanë vënë në pranga shtetasin Saba Shkoza, 34-vjeç lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me armë. Ndalimi i tij u bë në bazë të urdhrit të datës 15 tetor 2008 lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”.

Ishin në kërkim për trafik të qenieve njerëzore, arrestohen

Tiranë - Specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme pranë Policisë së Qarkut Tiranë kryen dje ndalimin e shtetasve Spiro Cikani, 45 - vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë dhe Jakë Gjokaj, 33 - vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Lezhë. Ndalimi i tyre u bë në bazë të urdhrit të ndalimit të datës 15.10.2008 të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Aksidenti, përplasen autoveturat, përfundon në spital pasagjerja 60 vjeçare

Kurbin – Dje rreth orës 13:30, në vendin e quajtur kryqëzimi i Patokut, në superstradën Laç – Fushë - Krujë, ka ndodhur një aksident automobilistik, ku janë përplasur mjetet, benz, me targë TR 4478 K, me drejtues shtetasin Vladimir Biberaj, lindur ne Tropojë dhe banues në Tiranë me mjetin tip NISAN, me targe LA 7521 A, me drejtues shtetasin Fiqiri Mzhika, banues në Mamurras. Si pasojë e kësaj përplasje ka marrë dëmtime shtetasja Mine Biberaj, vjeç 60, banuese ne Tiranë, e cila ndodhet në spitalin civil Lezhë, jashtë rrezikut për jetën.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›