Çmimi i naftës në vendin tonë bie vetëm me 3.3 për qind
Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare kanë rënë rreth 20 për qind, ndërkohë që në tregun tonë të karburanteve kjo ulje pothuajse nuk është reflektuar. Instituti i Statistikave njoftoi se rënia e çmimit të naftës vlerësohet në 3.3 për qind, ndërsa ajo e benzinës në 2.8 për qind. Gjatë dy ditëve të fundit kjo situatë u përsërit sërish. Në bursa çmimi i naftës ka rënë nën kuotën e 78 dollarëve për fuçi, ose 6 dollarë më pak se dje. Por në vendin tonë çmimi ka zbritur vetëm 2 lekë. Madje kjo ulje nuk është reflektuar në të gjitha pikat e karburantit. Në disa distributorë të shitjes me pakicë, nafta “D2” është shitur me 143 lekë për litër, “Eurodiezel-i” është shitur me 151 lekë për litër, ndërsa benzina me 149 lekë për litër. Çmimet në tregun e karburanteve konsiderohen abuzive nga qytetarët dhe ekspertët, por deri tani institucionet shtetërore nuk kanë ndërhyrë në treg për matjen e kostove dhe rrjedhimisht dhe fitimit të importuesve dhe tregtarëve. Zhdoganimet e karburanteve gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2008 pësuan një rritje të lehtë prej 2 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga DPD-ja, gjatë 9 muajve 2008, u zhdoganuan 308 mijë e 325 ton karburante, me një rritje prej 6 mijë e 212 ton më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 2 për qind më shumë.
Bashkëpunimi ekonomik me Italinë, çelet në Tiranë “Festivali i parë”
"Festivali i parë italian në Shqipëri", që do të hapet më 20 tetor, pritet të rrisë bashkëpunimin kulturor, tregtar dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë. Instituti Italian për Tregtinë e Jashtme (ICE), me mbështetjen e Ambasadorit Italian në Tiranë, Saba D'elia, shpalli dje aktivitetet që do të zhvillohen në këtë eveniment të posaçëm ku do të marrin pjesë sipërmarrës të ndryshëm të fushës së artit dhe ekonomisë, nga të dy vendet, ku janë të ftuar dhe konsumatorë. Drejtori ICE-s në Tiranë, Francesco Vitulli, në konferencën për shtyp, të mbajtur me këtë rast, tha se, “Shqipëria është vendi ballkanik me më shumë lidhje historike me Italinë dhe marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve datojnë prej shumë kohësh”. Duke u ndalur në perspektivat e zhvillimit ekonomik, Vitulli vuri në dukje se Qeveria shqiptare po vazhdon angazhimin e saj përsa i përket progresit të burimeve energjetike, të logjistikës dhe të infrastrukturave, por mbi të gjitha, në planin e reformave në procesin e demokratizimit të vendit, të privatizimit dhe luftës kundër korrupsionit. “Përmirësimi i ambientit ekonomik, i regjistruar pak kohë më parë nga institucionet ndërkombëtare, bën që Shqipëria të jetë gjithnjë e më shumë e dëshirueshme për investitorët e huaj”,- tha Vitulli. Ambasadori italian, shprehu mbështetjen e Italisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Italia, vijoi ai, është shumë e angazhuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, me instrumentin e bashkëpunimit për tërheqjen e investimeve italiane, për ndërhyrje direkte dhe me aktivitete për konsolidimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Gjatë ditëve të Festivalit të parë italian në Shqipëri, që do zhvillohet nga data 20 tetor deri 2 nëntor në Tiranë, do të organizohen konferenca pune ndërmjet biznesit italian dhe atij shqiptar për zhvillimin e sektorëve të produkteve ushqimore, kozmetikës, ndërtimit, minerareve dhe për bashkëpunimin kulturor.
17 Tetor 2008