E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e bankave: “Ekonomia shqiptare rrezikohet nga kriza e besimit”

Shqipëria, si pjesa tjetër e botës, rrezikohet nga largimi i parasë. Frika rrezikon të krijojë pasiguri edhe tek investitorët e huaj

Ervin Koçi

Kriza ekonomike globale rrezikon të shndërrohet në një kolaps përsa i përket mungesës së investimeve dhe largimit të kapitaleve të huaja nga vendet në zhvillim. Shqipëria, ashtu si dhe të gjitha vendet e botës, rrezikohet nga kjo krizë e besimit, e cila është pasojë e goditjes së tregjeve financiare ndërkombëtare. Ekspertët e sistemit bankar shpjegojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e besimit të qytetarëve te bankat përsa i përket sigurisë së depozitave, por për pasiguritë e investitorëve. Elvin Meka, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, ka deklaruar dje për mediat në lidhje me këtë situatë se, “ajo që quhet krizë e besimit nuk reflektohet drejtpërdrejt në raportin me klientët në banka, se sa më shumë në raportet e institucioneve me ekonominë”. Ekspertët e bankave të nivelit të dytë përforcojnë qëndrimin e Bankës së Shqipërisë, se nuk ka arsye që qytetarët të tërheqin depozitat, pasi bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe nuk janë të prekura nga kriza. “Njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm që të mos jenë pjesë e atyre skenarëve të pakuptimtë për të tërhequr depozitat, pasi do të jenë viktima të veprimit të tyre. Ky veprim është shmangur edhe në vendet që janë të prekur nga kriza dhe s’ka pse të bëhet në Shqipëri, e cila nuk është prekur nga ky fenomen”. Ekspertët shpjegojnë se, pas kësaj krize globale, do të rritet kontrolli mbi kreditë që do të jepen në të gjitha vendet. Bankat do të bëjnë një menaxhim të fortë të riskut, duke vendosur më shumë kritere për marrjen e një kredie. Shtimi i procedurave çka do ta bënte më të vështirë marrjen e një kredie, pritet të kompensohet me ulje të normave të interesit, një politikë që do të ndiqet nga të gjitha vendet. Por nuk mendojnë kështu emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, të cilët sipas ekspertëve “janë kapur më tepër nga paniku”, edhe për shkak të namit të keq që nga kriza e ’97-s.

Pasiguria e emigrantëve

Emigrantët shqiptarë që kanë mbyllur kursimet në Shqipëri, kanë më shumë interes t'i transferojnë paratë në bankat e huaja, kryesisht në Itali e Greqi. Kjo për faktin se bankat në këto vende europiane garantojnë depozituesit afro 12-fish më shumë se bankat shqiptare. Në sistemin tonë garantohen 100 për qind vetëm depozitat deri në 3000 euro, ndërsa në Europë shuma arrin në 50 mijë euro. Ky është një rrezik i mundshëm që sipas ekspertëve, “me këtë mund të përballet sistemi ynë bankar, në kushtet e krizës ndërkombëtare”. I njëjti fenomen mund të ndodhë dhe me individët që kanë shuma të mëdha në banka: ata mund të kryejnë transferta jashtë shtetit për të garantuar sa më shumë para nga kursimet e tyre. Agjencia e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri ka ndërmarrë një nismë për të rritur fondin minimal të garantimit të kursimeve. Ekspertët ndajnë qëndrime të ndryshme lidhur me rritjen ose jo të kufirit minimal të sigurimit të depozitave, pasi rritja e tij do të shtonte besimin tek individët për sigurinë e parave, por nga ana tjetër ajo do të kishte kosto për bankën, e cila do të kërkojë të rrisë normat e interesit të kredisë për të gjeneruar më shumë fonde.

BE-ja garanton depozitat deri në 100 mijë euro

Bashkimi Europian po punon për të rivendosur besimin në tregjet financiare të traumatizuar nga rënia më e madhe e 80 viteve të fundit. Jose Manuel Durao Barroso, aktualisht president i Komisionit Europian që prej vitit 2004, paraqiti planin për të garantuar depozitat bankare deri në shumën 100 mijë euro. “Brenda 1 viti shtetet europiane duhet të garantojnë depozitat bankare deri në këtë shumë, duke mbuluar në këtë mënyrë rreth 90 për qind të depozitave europiane”. Ky ishte dhe propozimi i bërë dy ditë më parë në Komisionin Europian që parashikonte ngritjen e menjëhershme të shumës minimale të garancisë aktuale nga 20 mijë euro në 50 mijë euro. Shuma aktuale prej 20 mijë eurosh u konsiderua e papërshtatshme nga komisioni europian, për faktin se mesatarja e depozitave europiane është rreth 30 mijë euro. Duke bërë këtë ngritje shtetet europiane do të mbulojnë depozitat nga 65 për qind deri në 90 për qind. Çdo shtet mund të vendosë vetë shumën minimale të garancisë, e konsideruar si më e larta e mundshme. Sot për sot, në rast se një bankë falimenton, për të tërhequr depozitat duhet pritur 3 muaj që mund të shtyhen deri në 9 muaj. BE-ja propozoi rimbursimin brenda 3 ditëve dhe pa pasur mundësi shtyrjeje. Gjithashtu u hodh ideja e një plani paneuropian i garantimit të depozitave që parashikon detyrimin e shteteve për të bashkëpunuar.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›