E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjehrra e Aldo Bares, 12 orë në polici

I prishin pushimet në Turqi për një verifikim. Vjollca Kodra, e ëma e Denada Kodrës është marrë në pyetje në lidhje me disa transferta bankare të saj drejt Rumanisë, në kohën kur e bija bashkëjetonte atje me Aldo Baren

TIRANË – Iu kthyen valixhet e pushimeve mbrapsht Vjollca Kodrës, vjehrrës së Aldo Bares, kapos së Bandës së Lushnjes, teksa punonjës të policisë e ndaluan atë në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, pak çaste para se të niste fluturimin drejt Turqisë. Sipas policisë, Vjollca Kodra, 50 vjeçe, e cila njihet edhe me identitetin Vjollca Çela, është shoqëruar dhe mbajtur në ambientet e policisë për t’u marrë në pyetje për plot 12 orë. Kodra është e ëma e Denada Kodrës, femra e njohur si e dashura e Aldo Bares, kapos së Bandës së Lushnjës. Burime të besueshme policore bënë të ditur dje për “Korrierin”, se pak momente përpara se të hipte në avionin e linjës Tiranë-Stamboll gjatë mbrëmjes së të hënës, 50-vjeçarja Kodra është “penguar” për të udhëtuar pasi është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, në lidhje me disa transferta bankare që janë kryer prej saj në periudhën kur e bija (Denada) jetonte në Rumani së bashku me kreun e Bandës së Lushnjës, Baren. E pajisur me dy pasaporta dhe me dy identitete, në njërën si Vjollca Çela dhe në tjetrën si Vjollca Kodra, duket se ka qenë e vështirë që të bëhej lidhja mes të ëmës dhe bijës, kjo e fundit e shpallur tashmë në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ende nuk dihet se çfarë ka pohuar Kodra para efektivëve të policisë dhe se për çfarë është pyetur saktësisht, përveç deklaratës së saj se ishte nisur drejt Turqisë për pushime, vend ku ndodhet në fakt duke vuajtur dënimin edhe dhëndri i saj. Pas disa informacioneve se e shoqëruara ka dijeni për vetë lidhjen e së bijës me kapobandën, nga oficerët e policisë është bërë edhe shoqërimi i saj, ndërsa është lënë sërish e lirë pas 12 orësh. Sipas policisë, 50-vjeçarja ka në pronësi disa objekte, që sipas prokurorisë mendohet të jenë të kreut të Bandës së Lushnjes, Aldo Bares. 50- vjecarja deri më tani nuk figuron si e akuzuar për ndonjë krim të fushës financiare, ndërsa nga uniformat blu u sqarua se ajo u mbajt për pak orë në komisariat, thjesht për një verifikim. Aldo Bare, me të cilin është e lidhur e bija e saj, vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë në Turqi. Ai është arrestuar nga policia turke në Ankara, i maskuar në një pasaporte false maqedonase nën emrin Mikel Kodra.

Kodra, e gatshme për t’u marrë sërish në pyetje

Kishte bërë gati valixhet dhe ishte nisur për të udhëtuar drejt Turqisë, drejt tokës ku ndodhet i arrestuar dhëndri i saj, Aldo Bare. E ndërsa ishte në pritje të fluturimit që do ta çonte atje, ajo duket se nuk e ka pritur çastin kur dy persona të veshur civilë, të cilët shoqëroheshin nga të tjerë me uniformë, i janë prezantuar dhe i kanë kërkuar që ajo t’i ndjekë për t’i bërë disa pyetje. Më pas ajo e ka gjetur veten në ambientet e policisë, ku është vënë në dijeni për shoqërimin konform rregullave dhe mësohet të jetë pyetur në lidhje me disa transferta që 50-vjeçarja kishte kryer në periudhën kur e bija jetonte në shtetin rumun me Baren, me të cilin kishte një lidhje dashurie dhe bashkëjetonte prej kohësh. Pasi ka sqaruar pozicionin e saj në lidhje me pyetjet e bëra nga specialistët e Interpol Tiranës, Vjollca Kodra është lënë e lirë, duke iu kërkuar sipas rregullave që të rrijë e gatshme në rast se do të jenë të nevojshme seanca të tjera marrjesh në pyetje. Nga të tjera burime mësohet se Kodra ka qenë ekonomiste e Lagunës së Karavastasë, në kohën kur zona administrohej nga grupi i Bares.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›