Riker në takim me Ahmetin dhe Thaçin
Ambasadori i ri amerikan, Filip Riker sot në Tetovë është takuar me liderët e dy partive më të mëdha shqiptare, BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.
Në takimin me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, ambasadori amerikan ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend, proceset gjyqësore të lëndëve të kthyera nga Tribunali i Hagës, çështja e emrit dhe çështje të tjera aktuale.
Ahmeti nga ana e tij ka deklaruar se Maqedonia do ta njohë shumë shpejt Kosovën, së bashku me Malin e Zi.
Riker është takuar edhe me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me të cilin kanë biseduar gjithashtu për zhvillimet e fundit politike në vend. Nga kjo parti nënvizojnë se çështja kryesore e takimit ka qenë rastet e Hagës dhe kërkesa e PDSH-së që këto raste ti nënshtrohen Ligjit për amnisti.
Ambasadori i ri amerikan është takuar edhe me kryetarin e komunës së Tetovës, Hazbi Lika, ka vizituar këndin amerikan në Tetovë si dhe disa lokacione të tjera që janë paraparë në agjendën e vizitës së tij.