Protesta e minatorëve, ndjekje penale për organizatorët
Tiranë- Oranizatorët e protesës së djeshme të minatorëve do të ndiqen penalisht. Deklarata është bërë sot nga policia e Tiranës, e cila ka njoftuar se tubimi ka qenë i paligjshëm, minatorët kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë konsumuar veprën e kundravajtjes penale.
Përkundër asaj që minatorët prisnin nga qeveria, për plotësimin e kërkesave të tyre, të publikuara prej muajsh, tashmë do të merren edhe me drejtësinë. Gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësja e policisë së Tiranës ka bërë me dije se minatorëve iu plotësuan të gjitha kushtet për zhvillimin e tubimit të lajmëruar.
“Në këtë kuadër, nga veprimet e kryera nga organizatorët e tubimit, strukturat e Policisë së Tiranës, përgjatë përmbushjes së detyrave të tyre funksionale, kanë qenë tolerant gjatë zhvillimit të këtij tubimi, ku edhe pas përfundimit të orarit të përcaktuar prej një ore, tubuesit janë lejuar përsëri të protestojnë”- tha ajo.
Ndërkohë që sipas policisë, minatorët nuk kanë qenë paqësorë dhe disa prej tyre kanë kundërshtuan forcat e policisë. Tubimi u zhvillua paraditen e djeshme, përpara kryesisë së Kuvendit, e cila ishte rrethuar nga forca të shumta policie. Minatorët kanë kërkuar miratimin e statusit, uljen e moshës së daljes në pension dhe kushte më të mira pune. Gjatë protestës ata janë konfliktuar me policinë, ku nuk kanë munguar as përplasjet.