Meta: “Pazari Rama-Berisha” po shkatërron Kushtetutën
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka denoncuar edhe një herë atë çka ai e quajti pazar dhe pakt të fshehtë midis kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryeministrit Sali Berisha. Meta tha se ky pakt i fshehtë jo vetëm që synon të deformojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë, por edhe të shkatërrojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dua të denoncoj me forcë pazaret më të ndyra, që po dalin hapur çdo ditë e më shumë midis kreut aktual të Partisë Socialiste dhe kreut aktual të qeverisë dhe të Partisë Demokratike, jo vetëm për të ndëshkuar sërish votën e shqiptarëve përmes atij Kodi që ka marrë tashmë emrin e Kodit të Gërdecit, por njëkohësisht edhe për ta kthyer Kushtetutën që shqiptarët e kanë votuar me referendum në më pak se një dekadë me parë, në një Kushtetutë të Gërdecit. Pra, të korrupsionit dhe të ortakërisë për interesa të ngushta midis krerëve të dy forcave të vjetra politike”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Sipas tij, në këtë pakt të fshehtë Rama ka siguruar mbështetje për të përdorur listat e mbyllura në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që ai ka ofruar mbështetje kryeministrit Berisha për të miratuar ndryshimet në Kushtetutë. “Të gjithë jemi tronditur sesi në këmbim të listave të mbyllura të Kodit të Gërdecit, që kërkon kreu i Partisë Socialiste, për të kontrolluar e për të vënë në rresht si ushtarë, pa asnjë lloj identiteti dhe dinjiteti, deputetët e ardhshëm të Partisë Socialiste, Sali Berisha i kërkon qartazi atij që të mbështesë ndryshime në Kushtetutë që kërkojnë të përjetësojnë pushtetin e Sali Berishës”, - vijoi Meta.
Duke kundërshtuar propozimet e bëra për të ndryshuar Kushtetutën, Mera tha se qëllimi i tyre është që të mbajnë në pushtet kryeministrin Berisha. “Këto ndryshime kërkojnë të mbajnë kryeministër Sali Berishën, kur këtë gjë ia kërkon jo gjithë opozita, flas për ata që janë në opozitë dhe jo për ata që janë edhe në opozitë, edhe në pozitë, por po ia kërkojnë edhe brenda së djathtës, pra përmes ndryshimit të Kushtetutës, duke kthyer Kushtetutën e Shqipërisë në atë nivel që ishte projektkushtetuta e Sali Berishës në vitin 1994, t’i jepen të gjitha pushtetet përsëri një njeriu të vetëm. Vetëm me një ndryshim, se atëherë i kërkonte Sali Berisha për institucionin e Presidentit, meqenëse ishte president, ndërsa tani Berisha dhe Rama i kërkojnë për kryeministrin, meqenëse Berisha është kryeministër, për të evituar çdo shkarkim apo rrëzim të mundshëm me votat e parlamentarëve në Kuvend të këtij kryeministri të papërgjegjshëm dhe të korruptuar”, - u shpreh kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili shtoi se LSI-ja do të kërkojë mbështetjen popullore për të mbrojtur Kushtetutën.
12 Prill 2008