Patozi: “Kryetari i PS-së të pranojë vendimet e Kolegjit Zgjedhor”
Eljona Ballhysa
Megjithëse Gjykata e Rrethit të Fierit ka gjobitur pesë komisionerët e Partisë Demokratike, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar dje se procesi zgjedhor në Ruzhdie u manipulua nga komisionerët socialistë. Demokratët vazhdojnë të deklarojnë se në fshatin Ruzhdie PD-së i është vjedhur një mandat deputeti. Patozi i bëri thirrje Ramës që të pranojë vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Kjo deklaratë e Patozit vjen në një moment kur gjykata e Fierit, pasi ka marrë në shqyrtim dosjen hetimore të Prokurorisë, ka dalë në konkluzionin se pesë komisionerë të PD-së kanë falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve në këtë komunë duke manipuluar.
Qëndrimi
“Unë jam para jush për të sqaruar njëherë e mirë publikun, përsa më poshtë vijon: Në fshatin Rushdie, pasi votimi kishte nisur, tre komisionerë socialistë u larguan nga qendra e tyre për të mos u kthyer më atje, duke marrë me vete edhe njërën nga vulat. Gjykata e Apelit, apo Kolegji Zgjedhor, pasi mori në shqyrtim rastin, nuk vendosi përsëritjen e votimit në Rushdie, por i deklaroi të pavlefshme 425 votat e gjetura në kuti, që në fakt përbënin 90 për qind të numrit të atyre që kishin votuar në atë fshat. Dhe siç është bërë e njohur tashmë, ky vendim solli për pasojë humbjen e një mandati të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit”, - është shprehur Patozi. Ai ka bërë të ditur se Partia Demokratike mbështet simetrinë bipartizane në komisionet zgjedhore që sipas tij, është kushti vendimtar për integritetin e procesit. Më tej kreu i Grupit demokrat ka theksuar se PD-ja ka mbështetur dhe mbështet organet gjyqësore dhe Prokurorinë në nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive për Ruzhdien dhe për çdo rast tjetër, mbi bazë e fakteve dhe provave të paraqitura nga subjektet politike dhe administrata zgjedhore. “Në këtë këndvështrim parimor, e ftojmë zotin Rama, që ashtu siç e pranoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Rushdien, nëpërmjet të cilit përfitoi një mandat, të pranojë dhe të respektojë edhe çdo vendim tjetër të tij”, - është shprehur Patozi.
Gjykata
Ndërkohë, Gjykata e Fierit ka vlerësuar nga provat e hetimit se këta persona kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve në këtë komunë. Në datën 12 shkurt, gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, Irena Maneku, në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Rrethit të Fierit, që është përfaqësuar nga prokurori Çlirim Sino, ka dhënë masën e ndalimit “detyrim paraqitjeje” për kryetarin e Qendrës së Votimit në fshatin Ruzhdie, Bujar Kararaj, si dhe për katër komisionerë të tjerë përfaqësues të Partisë Demokratike. Prokurori Sino paraqiti në Gjykatë raportin për hetimin e zgjedhjeve në komunën Ruzhdie. Pas padisë së ngritur nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste për shkelje të procedurave të votimit nisën hetimet dhe Prokuroria doli në konkluzionin se Bujar Kararaj dhe 4 komisionerët e tjerë që vijuan votimin më 28 qershor, janë të dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim; falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim; votim më shumë se një herë në bashkëpunim dhe shkelje të fshehtësisë së votimit në bashkëpunim. Ky fakt është pranuar nga Gjykata, që më pas ka pranuar masën e kërkuar
4 Mars 2010