Topi: Gjyqtarët të shkëputen nga klientelizmi
Në ditën e betimit mbi Kushtetutën e vendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkon nga 6 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë shkëputjen përfundimtare nga klientelizimi. Sipas z.Topi, duhet dinjitet dhe profesionalizëm pasi tani ata janë pjesë e majës së piramidës së pushtetit gjyqësor. Gjykata e Lartë është organi i drejtësisë, i cili shqyrton dhe çështjet e pushtetarëve, ndaj ndërhyrjes së të cilëve, Topi u ka kërkuar të sapoemëruarve të imunizohen. Gjatë ceremonisë së betimit në selinë e Presidencës të Aleksandër Muskajt, Ariana Fullanit, Evelina Qirjakos, Guxim Zenelajt, Majlinda Andreas dhe Andi Çelikut, Presidenti tha se emërimi i tyre përkon me një kohë përfshirjesh në proceset integruese të shtetit shqiptar. Në këtë rast, vlera e drejtësisë është një kusht dhe premisë për përfitimin e statusit të një vendi evropian, jo vetëm në hartë fizike, por edhe në atë politike. “Në të njëjtën kohë, - theksoi Topi, - ata vijnë në majën piramidale të pushtetit gjyqësor kur të gjitha institucionet e sektorit të drejtësisë po dëshmojnë për një shkëputje përfundimtare nga apatia dhe klientelizmat”. "Pushteti gjyqësor është një faktor determinues në prezantimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, ndaj mesazhi im ndaj jush sot referon në dy cilësi të padiskutueshme për suksesin e misionit tuaj: dinjitet dhe profesionalizëm", - tha z.Topi. Duke e vënë theksin veçanërisht tek profesionalizmi, Presidenti cilësoi se "Gjykata e Lartë është në njëfarë mënyre “Asambleja Parlamentare” e pushtetit gjyqësor, që përligj jurisprudencën shqiptare dhe vulos përfundimisht fatin e komunitetit shqiptar që përplaset nëpër gjykata". “Varësia juaj e vërtetë, - cilësoi kreu i shtetit, - nuk mund të jenë preferencat politike, edhe pse Kuvendi miratoi emrat tuaj, por vetëm Kushtetuta dhe ligjet që përbëjnë garancinë tuaj më të mirë për një karrierë gjyqësore”. Sipas tij, "respekti për institucionet e drejtësisë duhet të tregohet jo formalisht, por nëpërmjet vullnetit të pastër politik për reforma të gjera e të thella në vazhdimësi, për të prodhuar një imazh të fortë publik për një drejtësi të pakorruptuar, për të cilën jemi të uritur". Presidenti Topi vuri në dukje se "vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë janë gjithashtu ligje për gjykatat e dy niveleve të para, “ndaj, - iu drejtua ai gjyqtarëve të rinj të këtij institucioni, - vendimmarrja juaj duhet të jetë shprehje e një revolucioni të mendimit juridik, ku trajtimi i parimeve jurisprudenciale, të udhëhiqet vetëm nga bindjet profesionale dhe të jetë produkt i debatit juridik, i cili shpesh evoluon vetë konceptet e së drejtës”. Në seancën plenare të 28 korrikut, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë votash gjashtë dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Por, pas përplasjesh ndërinstitucionale, më në fund 6 të dekretuarit e Presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë morën dje zyrtarisht detyrën si anëtarë të këtij organi.