E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers dhe Oketa, sot në Gërdec



Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Uithers, dhe ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, nisin ditën e sotme me një axhendë të përbashkët, por dhe si një lloj sfide ndaj akuzave të ngritura për tregtinë e armëve. Në orën 10:00 diplomati amerikan dhe kreu i mbrojtjes shqiptare, kanë planifikuar një vizitë në Gërdec, zonën ku pësoi tragjedinë e madhe me 15 mars si rezultat i shpërthimit të një depoje municioni. Withers dhe Oketa do të shohin nga afërt situatën post-Gërdec dhe sa janë mbyllur plagët e tragjedisë së rëndë që mori jetë njerëzish dhe shkatërroi ekonominë e banorëve të zonës. Vizita e diplomatit amerikan në Gërdec, bëhet dy ditë pas deklaratës së drejtorit për Evropën në Departamentin Amerikan të Shtetit Kris Hoh se deri tani nuk ka të dhëna për implikimin e ambasadorit amerikan në Shqipëri John Withers në hetimet për skandalin e armëve. Përmes “Zërit të Amerikës”, Kris Hoh foli për hetimet e Kongresit Amerikan në lidhje me trafikun e armëve të vjetra që bliheshin nga një kompani amerikane në emër të Pentagonit për ushtarët e SHBA-së në Afganistan. Sipas Hoh, duhet pritur përfundimi i hetimeve dhe më pas të dilet në një përfundim për këtë çështje. Sipas tij “Withers është një diplomat në karrierë që ka një reputacion pozitiv dhe po punon për çështje të rëndësishme diplomatike. Zyrtari amerikan shprehu bindjen se pas përfundimit të hetimeve, do të dalë edhe e vërteta për çështjen e skandalit të armëve, prandaj nuk duhet të nxirren përfundime paraprake. Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri akuzohet nga Kongresi Amerikan se ka takuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në fshehtësi për të mbuluar aferat e Diverolit në Shqipëri lidhur me trafikun e armëve ndërkohë që Diveroli akuzohet nga shteti amerikan për mashtrim.

V. M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›