E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton “kartat e identitetit”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, hodhi dje firmën mbi ligjin që mundëson prodhimin e kartave të reja të identitetit të shqiptarëve. Topi dekretoi shpalljen e ligjit nr. 9972, datë 28.07.2008 “Për ratifikimin e “Kontratës koncesionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të “Sagem Securite” e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”. Po dje, Presidenti Bamir Topi dekretoi dhe shpalljen e ligjit nr. 9971, datë 28.07.2008 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për realizimin e një sistemi kompjuterik për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në Shqipëri”.

Berisha, EADS: Ja propozimet për aeronautikën

Kryeministri Berisha priti dje në një takim përfaqësuesit e kompanisë evropiane EADS, të kryesuar nga zv.presidenti, Jens Siebrecht. Kompania evropiane për aeronautikën dhe mbrojtjen hapësinore, EADS, shprehu interes për të shtrirë aktivitetin edhe në Shqipëri. Në takimin me Kryeministrin Berisha, përfaqësuesit e saj vlerësuan Shqipërinë si një vend me potencial të lartë biznesi. Ata përcaktuan piketat e projekteve, të përqendruara në prodhimin e avionëve civilë dhe ushtarakë dhe sigurimin e pjesëve të këmbimit. Kryeministri Berisha u njoh me projekt-propozimet e korporatës EADS dhe vlerësoi vendimin e drejtuesve të saj për të investuar në Shqipëri. Zoti Berisha i garantoi investitorët se do të kenë mbështetjen e qeverisë për të konkretizuar projektet e tyre.

Oketa, EADS: Projekte aeronautike edhe në Shqipëri

EADS, kompania më e madhe në Evropë, që operon në fushën e sistemeve aeronautike dhe të mbrojtjes ajrore, e shtrirë në pjesën më të madhe të shteteve evropiane, ka projekte edhe për Shqipërinë. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, takoi dje delegacionin e kryesuar nga zv.presidenti i kompanisë EADS (Europian Aeronautic Defence and Space Company) z. Jenc Ziebrecht. Kooperimi i parë mes Ministrisë së Mbrojtjes, kompanisë EADS dhe Gjermanisë, janë helikopterët BO, të cilët i janë dhuruar Forcave Ajrore Shqiptare nga qeveria gjermane dhe që ka qenë fryt i një bashkëpunimi të suksesshëm trepalësh.

Oketa i bëri me dije z.Ziebrecht prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes në këtë fushë. “Në kuadrin e modernizimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, mbetet prioritetet yni, - ka theksuar Oketa, - edhe modernizimi i Forcës Ajrore, një standard ky i kërkuar edhe nga NATO-ja”. Më tej, ai foli për projektet konkrete të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, “ku aktualisht jemi duke punuar në fushën e modernizimit dhe blerjes së helikopterëve për Brigadën Ajrore si dhe me një projekt tjetër të rëndësishëm, atë të ngritjes së sistemit të vëzhgimit të hapësirës ajrore, po sipas standardeve të NATO-s dhe BE-së”, ka theksuar ministri Oketa. Zv.presidenti i EADS, z. Ziebrecht, ka falënderuar ministrin e Mbrojtjes për pritjen dhe u shpreh i kënaqur, sepse në këtë vizitë të parë në Shqipëri janë të dukshme zhvillimet ekonomike dhe përpjekjet për të qenë pjesë jo vetëm e NATO-s, por edhe e BE-së, ka thënë ai. Më pas, ai ka paraqitur arritjet e kompanisë EADS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›