Ndoka: Si do të funksionojë “Poli i Lirisë”
Demokristianët, liberalët dhe monarkistët grupohen në “Polin e Lirisë” në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Sipas këtij grupimi, tentohet një dimension i ri i qendrës së djathtë shqiptare. Ky është qëllimi i nismës së Nard Ndokës, Spartak Ngjelës dhe Dashamir Shehit të cilët pritet të zyrtarizojnë së shpejti grupimin "Poli i lirisë", sigël me të cilën këto tri grupime politike do të përfaqësohen së bashku në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Njëri prej tyre, kryetari aktual i PDK-së, Nard Ndoka, pohoi dje: "Në bazë të Kodit Zgjedhor, tashmë të miratuar është e domosdoshme, gjykoj që të ketë të paktën 4 pole politike. Ne, - shtoi ai, - gjykojmë që riorganizimi i disa partive politike që kanë një përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj këtij realiteti, mund ta bënte mjaft interesante politikën shqiptare. Është një bashkim mjaft interesant, një bashkim i tillë, për faktin se çdo parti politike ruan fizionominë e vet. Ndërsa poli në tërësi të tij do të jetë si një bashkim i këtyre vlerave", - deklaroi z. Ndoka. Kreu demokristian vuri në dukje se grupimi do të ruajë identitetin e qartë djathtist, në një kohë kur PD-ja, sipas tij, ka tradhtuar shumicën e shqiptarëve që i dhanë asaj mandatin për të qeverisur vendin për katër vjet.