E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja kundër komisionit ad hoc të Ramës



Lëvizja Socialiste për Integrim e sheh të panevojshëm ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc për kartat e identitetit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Petrit Vasili, nuk është e nevojshme ndarja e përgjegjësisë, në një kohë kur ligji përcakton qeverinë shqiptare si përgjegjëse të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. “Përgjegjëse e vetme dhe kryesore për këtë proces është qeveria shqiptare dhe çdo anashkalim i përgjegjësive nga qeveria shqiptare dhe krijimi i bashkëpërgjegjësive fiktive, përveçse krijon konfuzion në marrjen e masave, na largon nga një objektiv i vetëm, që është pajisja e të gjithë qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, për të realizuar zgjedhjet sipas standardeve. Ky është një dhe vetëm një objektiv”, - tha ai. Më tej, Vasili akuzoi PD-në dhe PS-në se kanë përgjegjësi shumë të madhe për gjendjen me të cilën po përballen qytetarët në procesin e pajisjes me karta identiteti, sepse e zvarritën pambarimisht Kodin Zgjedhor për ta miratuar atë bazuar mbi filozofinë shumë të gabuar të faktit të kryer. Njëkohësisht, Vasili bëri disa propozime për qeverinë shqiptare, duke kërkuar që kartat e identitetit të jepen falas për disa kategori. Në këtë mënyrë, LSI-ja propozon që qeveria të shpërndajë gratis karta për shtresat në nevojë, si pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat. Njëkohësisht, LSI-ja kërkoi që të trajtohet me emergjencë pajisja e emigrantëve, për të mos i penguar ata dhe për të mos rrezikuar vendet e tyre të punës në shtetet ku ata punojnë, që lidhen me të ardhmen e familjeve te tyre

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›