E Shtunë, 31 Tetor 2026

40 mijë forca sigurie në përurimin e Obamës



Betimi i Presidenti të ri, Barak Obama, u shoqërua me sigurinë më të madhe që ishte parë ndonjëherë në betimin e ndonjë presidenti amerikan. Sipas mediave amerikane, duket se afërsisht 40 mijë forca të sigurisë ishin përfshirë në operacionin e sigurisë së ceremonisë. Autoritetet monitoruan nga afër të gjithë ditën e përurimit. Në këtë operacion morën pjesë policët e kryeqytetit të Uashingtonit, forcat e FBI-së, shërbimet sekrete të cilat bënë të mundur që ceremonia të kalonte normalisht. Me sa duket, asnjë incident nuk u shënua në këtë ditë të veçantë për amerikanët. Ndonëse në shesh ndodheshin mbi 1 milion njerëz, mediat raportuan se incidentet munguan.

Mishelë Obama magjeps në ceremoni me veshje të artë

Zonja e Parë, Mishelë Obama, nuk ka qëndruar pa rënë në sy të publikut dhe të medias, ditën kur bashkëshorti i saj u bë Presidenti i 44-t i SHBA-ve. Zonja Obama kishte veshur një fustan me ngjyrë të artë i dizenjuar nga stilisti me origjinë kubaneze, Izabel Toledo, posaçërisht për këtë ditë duke dashur të japë një mesazh shprese jo vetëm për Amerikën dhe amerikanët, por edhe për industrinë e modës, e cila ndodhet në vështirësi për shkak të krizës ekonomike. Ajo kishte veshur një pulovër jeshile si dhe këpucë jeshile gjithashtu. Ajo që ra në sy në veshjen e Presidentit Obama ishte kollarja e tij e kuqe, ndërsa mediat kanë folur edhe për veshjen e vajzave të tyre. Mediat thonë se vajzat kishin veshje të thjeshta, por plot ngjyra, pavarësisht nga i ftohti. Fustanet e vajzave ishin shumëngjyrëshe. Sipas medias amerikane, industria e modës e ka parë Obamën si një amerikan me stil modern dhe pret që Presidenti i ri të shërbejë si nxitje edhe për industrinë e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›