E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Liria ekonomike, e cenuar



Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi dje se liria ekonomike e vendit tonë vazhdon të mbetet e kufizuar. Sipas tij, ajo cenohet rëndë nga niveli i ulët i lirisë së pronës dhe niveli i lartë i korrupsionit. Malaj vuri në dukje se liria e pronës është vetëm 30% dhe liria e korrupsionit 29% ose niveli më i ulët në të gjitha vendet e rajonit. “Mburrja me lirinë fiskale është vetëm dekorative. Përkeqësimi i administratës fiskale, nepotizmi dhe emërimet militante, mbledhjet abuzive të të ardhurave, çmimet e referencës abuzive dhe korruptive, rimbursimet korruptive i kufizojnë në maksimum impaktet pozitive të lirisë fiskale”, - tha Malaj. Sipas tij, Shqipëria për shkak të uljes së nivelit formal të taksave vlerësohet se ka lirinë fiskale 92%, por korrupsionin 29%, ndërsa Danimarka një nga vendet më të zhvilluara dhe me politika sociale të harmonizuara e ka lirinë fiskale vetëm 35%, por lirinë nga korrupsioni 94%.

Në vitin 2008, Forumi Botëror i Davosit e renditi Shqipërinë në nivele shumë të ulëta për të konkurruar në ekonominë globale dhe klasifikoi qeverinë shqiptare si një nga më të korruptuarat në marrjen e vendimeve, si edhe një nga më pak transparentet në 134 vende të botës.

Danaj: Krimi në familje, qeveria ka dështuar në luftën ndaj varfërisë

Koordinatorja e Forumit Kombëtar të Gruas Socialiste, Ermira Danaj, akuzoi dje qeverinë shqiptare se ka dështuar në luftën ndaj varfërisë e si e tillë janë shtuar edhe pasojat e saj. Sipas Danajt, ditët e fundit kemi përjetuar raste të shumta të dhunës dhe krimit në familje, ku në shumicën e tyre viktimat kanë qenë gratë. “Dhuna dhe krimi në familje nuk është një çështje private, për të cilën nuk duhet folur, por është një çështje që na prek të gjithëve ne, të gjithë shoqërinë, sepse në thelbin e kësaj plage qëndron mungesa e mirëqenies ekonomike dhe sociale, qëndron mungesa e shpresës”, - tha Danaj.

Sipas saj, rastet e shumta të dhunës dhe krimit në familje dëshmojnë se kjo qeveri ka dështuar plotësisht në luftën ndaj varfërisë dhe në rritjen e mirëqenies ekonomike, ka dështuar në luftën ndaj papunësisë së lartë të grave dhe burrave, ka dështuar në krijimin e një ambienti i cili e dënon dhe e lufton dhunën, ka dështuar në ofrimin e një jete të sigurt dhe, ç’është më e rëndësishmja, ka dështuar në dhënien e shpresës për të gjithë qytetarët dhe qytetaret”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›