E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dështon me rekrutimin direkt nga anëtarësia



Përgatitjet për fushatën zgjedhore e kryesisht ajo pjesë që lidhet direkt më bazën, nuk po shkon mirë për Partinë Socialiste. Edhe pse udhëzimet e fundit të Asamblesë Kombëtare flisnin për një punë sa më të shpejtë, elementë të kësaj fushate janë të vonuar në realizimin e saj. Sistemi i patronazhit është një ndër rrugët që ka gjetur selia rozë për të bërë një identifikim se cilët qytetarë do të votojnë pro ose kundër saj, ndërsa një punë më të madhe duhet të kryejnë me të lëkundurit në mendime. Ky sistem përfshin edhe disa elementë të tjerë, por qëllimi kryesor i tij është të japë idenë se çfarë e pret PS-në ditën e zgjedhjeve. Në bazë të punës së anëtarëve zyrtarë të kësaj partie, në fund të muajit dhjetor duhet të kishte një hartë, rezultat i punës së sistemit të patronazhit me të dhëna që parashikojnë se për cilën parti do të votojnë “të rekrutuarit” nga PS-ja. Burime nga PS-ja thonë se në tërësi, në rang vendi, ka mjaft vonesa dhe harta është gati në gjysmën e punës. Vështirësi duket se ka më shumë në qarkun e Tiranës e meqë është edhe dega më e madhe, i është lënë edhe një muaj kohë për të përfunduar punën. PS-ja ka muaj që ka shpërndarë udhëzimet për përgatitjen e fushatës elektorale që lidhen me ngritjen e shtabeve elektorale, mënyrën e organizimit të tyre, përcaktimit të kujdestarëve etj. Pjesë të këtyre përgatitjeve janë edhe disa elementë të huazuar nga fushata e Presidentit amerikan, Obama, ku përfshihet sistemi i patronazhit dhe grupi i vullnetarëve. Sistemi i patronazhit vë në punë direkt gjithë anëtarët e PS-së për të rekrutuar vota, për të bindur të lëkundurit, por edhe për të bërë identifikime, ndërsa grupi i vullnetarëve e largon disi fushatën nga logoja e partisë.

Sistemi i vullnetarëve është ngritur në të gjitha degët e saj. Në bazë të sqarimit të bërë edhe në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të dy muajve më parë, anëtarët e partisë do të kenë secili një numër të caktuar zgjedhësish, me të cilët do të duhet të punojnë. Secili anëtar partie duhet të marrë në patronazh rreth 30 zgjedhës. Gjatë kësaj periudhe pune, ky anëtar do të merret me dëgjimin e shqetësimeve, të cilat do t’i përçojë më pas në strukturat e larta të PS-së, por puna më e madhe që do të bëhet është me zgjedhësit e lëkundur. Në materialin paraprak, që u përgatit kohë më parë nga sekretariati për çështjet zgjedhore, “sistemi i patronazhit nënkupton që çdo anëtar i Partisë Socialiste, në çdo organizatë që mbulon një qendër votimi, bëhet përgjegjës për një territor gjeografik të qendrës së votimit, pra dhe të zgjedhësve që i përkasin këtij territori”. Nga ky material, i miratuar nga kryesia e PS-së dhe Asambleja Kombëtare, çdo anëtar është përgjegjës për një numër zgjedhësish që i përkasin një qendre votimi, që do të thotë që duhet të realizojë identifikimin e mënyrës se si ata votojnë. Po kështu, duhet të punojnë me mbështetësit për t’i bërë pjesë aktive të fushatës së PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›