Ruçi: “Vrasja e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, është politike”
Shaban Sulçe
Në ditën e gjashtëmujorit të vrasjes së ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi, një deklaratë e fortë denoncuese ka ardhur nga selia e Partisë Socialiste. Ka qenë kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili, pasi ka denoncuar hezitimit e qeverisë për zbardhjen e kësaj vrasjeje tronditëse, ka deklaruar gjithashtu se deputeti socialist, Fatmir Xhindi, është vrarë vetëm për motive politike. Ruçi renditi një sërë argumentesh, të cilat, sipas tij, vërtetojnë gjithnjë e më tepër se pista e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi ka qenë vetëm politike.
Heshtja
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, denoncoi heshtjen dhe hezitimin e qeverisë, të kryeministrit Berisha dhe strukturave shtetërore për zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi. Ruçi tha se kryeministri Berisha po hesht dhe nuk është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes së familjarëve, së qytetarëve të Roskovecit, të Partisë Socialiste dhe të gjithë opinionit publik se cilët ishin autorët e vrasjes së Xhindit. “Sot e 6 muaj, madje edhe dje e të dielën, qytetarët e Roskovecit e të gjithë Fierit pyesin: ‘Kush na e vrau deputetin?!’. E në vend të saj dëgjojnë Sali Berishën të thotë se ka fituar betejën ndaj krimit dhe kriminelëve. Partia Socialiste, sot e 6 muaj pyet: Pse u vra përfaqësuesi i saj në prag të shtëpisë dhe në prag të fushatës elektorale?! Pse sot e 6 muaj kjo vrasje e këtij politikani nuk ka autor?! Përgjigjet pa përgjigje të pushtetit të Sali Berishës deri sot kanë hedhur në tavolinën e organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme. Por, sipas verdiktit të tyre, të gjitha nuk qëndrojnë. Aktualisht ka mbetur vetëm një pistë: Fatmir Xhindi është vrarë vetëm për arsye politike. Pistë që nuk është hedhur para organeve kompetente. Këtë pistë nuk mund ta hedhë pushteti i Sali Berishës”, - tha Ruçi.
Argumentet
Sipas numrit 2 të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ekzistojnë disa argumente domethënëse, të cilat vërtetojnë se deputeti Xhindi u vra për arsye politike. Ai përmendi stopimin e hetimeve dhe refuzimin e qëllimshëm të Policisë së Shtetit për të zbardhur këtë vrasje. “Është pista politike sepse 6 muaj pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, veprimet hetimore rezultojnë tërësisht të stopuara. Është pista politike pasi Policia e Shtetit nuk është duke kryer asnjë veprim hetimor për zbulimin e autorëve dhe gjetjen e provave. Është pista politike pasi vendi dhe rrethanat e tjera të kryerjes së krimit si dhe cilësitë e posaçme të ngjarjes dëshmojnë se zbulimi i këtij krimi nuk përbën për specialistët një rast pa zgjidhje. Është pistë politike, sepse ligji i ka përcaktuar detyrimet konkrete të Policisë së Shtetit përmes strukturave të posaçme të ngritura prej saj, të cilat kanë për detyrë të kryejnë veprime për zbulimin e çdo lloj ngjarjeje kriminale, aq më tepër për një ngjarje të tillë me sfond politik. Është politike sepse Policia e Shtetit me qëllim u është larguar detyrave të caktuara nga ligji për zbatimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje. Rasti i hetimeve për vrasjen e deputetit tregon qartë se policia nuk dëshiron ta zbardhë këtë krim, fakt që provon natyrën politike të këtij krimi. Përkundër detyrimit që ka në zbatim të ligjit segmente të larta të shtetit, të politizuara deri në palcë, në vend që të kryejnë veprimet e tyre kushtetuese në mbrojtje të rendit publik, të jetës dhe të pronës së shtetasve provokojnë konflikte të pashembullta me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Pra, tashmë është e qartë për të gjithë që Policia e Shtetit është vënë hapur në mbrojtje të bizneseve dhe interesave të pista të Familjes kryeministrore dhe të klanit të tyre”, - tha kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.
Reagimi i Policisë: “Ruçi, nëse ka informacion për vrasjen, të na e vërë në dispozicion”
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar ndaj deklaratave së kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në lidhje me vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi. Me anë të një deklarate për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka sqaruar se nuk është aspak e vërtetë se janë ndërprerë hetimet për zbardhjen e vrasjes. Në deklaratë thuhet se në rast se deputeti Ruçi ka informacione për autorët e kësaj vrasjeje, ai atëherë duhet t’i vërë këto informacione në dispozicion të Policisë. “Për hetimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, nga ana e Policisë së Shtetit është ngritur një grup pune me specialistët më të mirë dhe me më shumë integritet profesional, duke vënë në dispozicion të hetimit të gjitha resurset njerëzore dhe teknikat speciale bashkëkohore të hetimit, me qëllim dokumentimin ligjor të këtij krimi. Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit po vazhdon hetimet me intensitet të lartë duke analizuar me kujdes të gjitha informacionet e marra për këtë çështje së bashku me prokurorinë për krimet e rënda dhe po zbaton të gjitha detyrat e deleguara nga ana e prokurorëve. Policia nuk u është shmangur asnjëherë përgjegjësive të saj duke zbatuar me korrektësi detyrimet që i ngarkohen asaj nga ligji “Për Policinë e Shtetit”. Për këto arsye, i sugjerojmë zotit Gramoz Ruçi që në funksion të zbulimit të së vërtetës, të gjithë informacionin e nevojshëm që disponon ta vërë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda, si autoriteti përgjegjës që drejton dhe heton këtë çështje.
Deklarata të tilla dezinformuese dhe abuzive kanë për qëllim pengimin e punës së bërë nga grupi hetimor dhe të shkaktojnë vonesa në zbardhjen e së vërtetës”, - thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
5 Nentor 2009