KQZ do padisë krerët e qeverisjes vendore
Drejtuesit të njësive vendore, që nuk ka zbatuar ligjin, do vendosen para ligjit
TIRANË- Problematika e evidentuar në listat e qendrave të votimit duket se nuk do të kalojë lehtë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të shmangur çdo implikim në këtë çështje, do të kërkojë që përgjegjësit e krijimit të kësaj situate, pra të gjithë drejtuesit të njësive të qeverisjes vendore, që nuk ka zbatuar ligjin, të vendosen përpara drejtësisë.
Nisur nga vështirësia në të cilën është vënë procesi zgjedhor si pasojë e kësaj amullie, anëtari socialistë i KQZ-së Artan Lazaj i ka propozuar komisionit që të përgatisë një padi ndaj të gjithë drejtuesve vendor, që nuk kanë zbatuar ligjin për të sjellë në kohë listat e zgjedhësve dhe adresat e qendrave të votimit.
"Duke u ndodhur përpara një situate shumë të vështirë ku na kanë futur kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, unë i bëj thirrje KQZ-së dhe unë do të jap gjithë asistencën time juridike për të bërë një denoncim në prokurori për veprën penale të shpërdorimit të detyrës për të gjithë ata kryetarë të qeverisjes vendore, që kanë bërë këtë shkelje.
Nuk ka dëm më të madh sesa ky që i kanë shkaktuar shtetit si në proces ashtu edhe në imazhin që japim tek të huajt", - tha Lazaj. Por sipas kreut të KQZ-së Arben Ristani problemi nuk mund të zgjidhet thjesht me një deklaratë, prandaj ka kërkuar nga anëtarët e tjerë të këtij komisioni që të ulen për të hartuar akt-padinë.