E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka e Ngjela: Mbështesim protestën e 10 Tetorit

Partitë e djathta në opozitë me qeverinë do të mblidhen në një tryezë, për të vendosur mbi lëvizjet e ardhshme

"Këtu s'është cenuar vetëm Partia Socialiste, këtu është cenuar dinjiteti i popullit, është prekur vota"

TIRANË- Qëndrimit të Partisë Socialiste për të protestuar më 10 tetor për hapjen e kutive të votimit, nuk do t'i bashkohet vetëm spektri opozitar i majtë, si Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe ajo Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, por edhe partitë e djathta opozitare si PDK-ja, PiLDr-ja dhe LZHK-ja.


Të kontaktuar nga gazeta "Shekulli", drejtuesit e këtyre partive shprehen se disa parti të djathta, që kontestojnë zgjedhjet e 28 Qershorit do të mblidhen në një tryezë të përbashkët, e cila do të marrë edhe një vendim përfundimtar mbi qëndrimin politik ndaj protestës, të cilën deri më tani e mbështesin njëzëri në parim.


Ndoka


"Opozita e djathtë po organizohet në një Union të përbashkët, ku të gjithë sëbashku do të marrim një vendim në lidhje me protestat. Besojmë që këtij Unioni do t'i bashkohen parti, grupe, individë, që gjykojnë njësoj si ne. Vendimi ynë do të merret në akord me forcat e djathta opozitare.


PDK-ja nuk ka paragjykime dhe as komplekse për t'u bërë pjesë e një aksioni politik për hapjen e kutive të votimit, si e vetmja mënyrë për të arritur atë që të gjithë dëshirojmë zgjedhje të lira dhe të pranuara nga të gjithë,"- tha Ndoka.


Sipas kryetarit të PDK-së, në këtë takim, përveç protestës dhe kërkesës për hapjen e kutive, pritet të diskutohet edhe rishikimi i Kodit Zgjedhor, me qëllim që të mos favorizojë më dy partitë e mëdha PD dhe PS.


Në tryezën që pritet të mbahet së shpejti, pritet të prevalojë qëndrimi i këtyre partive ndaj protestës së opozitës parlamentare. Ndoka la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në protestë të partisë së tij dhe partive të tjera opozitare të djathta.


Ai vë në dukje se nuk sheh ndonjë pengesë për të marrë pjesë, pasi kjo është diskutuar edhe më parë me Partinë Socialiste. Ndoka e sheh protestën si një mundësi të madhe, në mënyrë që mazhoranca qeverisëse të reflektojë mbi faktin se po qëndron në pushtet, falë votës së vjedhur.


"Rruga e protestave është një rrugë demokratike e domosdoshme në këto momente, për të shkundur mazhorancën aktuale, që është në pushtet e mbështetur te vjedhja e votës dhe që mendon të qëndrojë me të njëjtat forma," - u shpreh Ndoka.


Ngjela


Të njëjtin qëndrim ka edhe kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Sipas tij, partia që ai drejton e ka përkrahur bojkotin dhe së fundmi edhe protestën, që ai e sheh si një mjet dhe forcë të madhe për rikthimin dhe rivendosjen e demokracisë.


"Ne, përfundimisht, e kemi përkrahur revoltën në funksion të shtetit dhe të sistemit. Patjetër që jemi përkrahës të bojkotit, madje, partia ime nuk do të bënte marrëveshje me socialistët, në rast se ata nuk bojkotonin Parlamentin.


Unë personalisht i përkrah, dhe e konsideroj bojkotin dhe protestën, një hap i madh drejt rivendosjes së demokracisë së grabitur në Shqipëri", - tha Ngjela. Sipas tij, kjo protestë, që është e iniciuar nga Partia Socialiste, mund të marrë një trajtë të paparashikueshme të veprimit të mëtejshëm të saj. Madje, avokat Ngjela thekson se protesta mund të përshkallëzohet.


"Këtu nuk është cenuar vetëm Partia Socialiste, këtu është cenuar dinjiteti i popullit, është prekur vota. Është manipuluar vota nëpër qendrat e numërimit, janë prekur bankat shoqërore.


Duhet ta dinë të gjithë, që fleta e votimit është letër me vlerë, dhe qendrat e votimit janë banka. Ata që kanë futur duart në këto banka, duhet të marrin dënime drastike që nga Kryeministri shqiptar e deri te numëruesi i thjeshtë i votës," - sqaroi Ngjela.


I pyetur nëse Kryeministri mban të njëjtin qëndrim edhe pas protestave të opozitës, për të mos hapur kutitë e votimit, Ngjela vuri në dukje se atëherë, Kryeministri i vendit do të përballet me popullin.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›