E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me pronat, pranga kreut të Hipotekës në Vlorë

VLORË- Vihet në pranga drejtori i Hipotekës së Vlorës, Edmond Banushaj, ndërsa bashkë me të është ndaluar dhe ish-juristi i në drejtorinë e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Viktor Kulaj, si dhe shtetasi Oard Begaj. Burimet zyrtare të policisë së Vlorës bënë të ditur se arrestimi i këtyre tre personave u bë në kuadër të operacionit "Fillimi i vjeshtës". Gjithashtu, në pranga ka përfunduar edhe kryeplaku i fshatit Vuno, Leonard Bala.
***
Mbrëmë, në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i qytetit të Vlorës bëri të ditur se ishte arrestuar drejtori i ZRPP-së së Vlorës, Edmond Banushaj. Vënia në pranga e drejtuesit të Hipotekës së Vlorës është bërë në qytetin e Tiranës pasditen e vonë të së premtes. Ka qenë një bashkëpunim mes policisë së Vlorës, prokurorisë së këtij rrethi, si dhe sektorit kundër Krimit Ekonomik ai që ka bërë të mundur arrestimin e Banushajt, si dhe të Viktor Kulajt dhe Oard Begaj. Deri në orët e vona të mbrëmjes nga blutë nuk është pranuar të deklarohet asgjë lidhur me këtë ngjarje, duke u shprehur vetëm se ishin kryer arrestime. Ndërkohë, burime nga prokuroria bënë të ditur se vënia në pranga e drejtuesit të Hipotekës ka lidhje me dhënie në mënyrë abuzive të pronave personave që nuk kishin dokumente pronësie. Bëhet fjalë për prona shtetërore që u janë dhënë privatëve për të kryer ndërtime të ndryshme, shprehen burimet. Ndërkohë deklarohet se hetimet kanë filluar mbi një vit më parë se dhe tashmë është mbledhur i gjithë dokumentacioni që vërteton fajësinë e drejtorit të Hipotekës, si dhe dy personave të tjerë të arrestuar. Burimet bënë të ditur se operacioni do të vazhdojë dhe se në ditët në vijim priten arrestime të tjera të personave që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë çështje. Gjithashtu mësohet se mes të arrestuarve të tjerë do të ketë edhe persona me pozitë. Akuzat e ngritura ndaj Banushajt, Kulajt dhe Begajt janë "shpërdorim detyre", "falsifikim dokumentesh" dhe "vënie në përdorim e dokumenteve të falsifikuara".
***
Po dje është vënë në pranga Leonard Bala, 53 vjeç, kryeplak i fshatit Vuno. Arrestimi i tij është bërë pasi për të është caktuar masa e sigurisë "arrest në burg" për akuzën e "falsifikimit të dokumenteve më shumë se një herë". Burime nga prokuroria bënë të ditur se arrestimi i kryeplakut bëhet lidhur me problemet e lindura për pronat në bregdet. Bëhet fjalë për mbi 15 hektarë tokë. Mësohet se një shtysë e madhe për hetimin dhe arrestimin e personave kanë qenë edhe vetë shtetasit e dëmtuar nga veprimet e të pandehurve.
Rreth dy vjet më parë në media u botua një skandal pronash në Hipotekën e Vlorës. Në të rezultoi se gjatë transportimit kishin humbur 200 dosje pronash.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›