Vendimi i PS-së, Topi: Jam kundër bojkotit
Presidenti i Republikës nuk ka pranuar të komentojë vendimmarrjen e opozitës, por shprehet në parim se është kundër bojkotit
TIRANË- Shtohen zërat që kundërshtojnë bojkotin që opozita i ka bërë institucionit të Kuvendit. Pas deklaratave të njëpasnjëshme të faktorit ndërkombëtar, mospajtues me një vendim të tillë të opozitës është shprehur edhe kreu i shtetit, Bamir Topi.
I pranishëm dje në ceremoninë e diplomimit të brezit të tretë të studentëve të Shkollës Shqiptare të Politikës, ai duke përfituar nga prania e medias nuk ka lënë pa përcjellë një mesazh edhe në këtë drejtim, duke theksuar qartë se nuk mbështetë rrugën e braktisjes së institucioneve.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë vendim të opozitës, Presidenti Topi është shprehur se "asnjë herë nuk kam qenë për bojkot, asnjëherë në jetën time".
Megjithatë, ai është përpjekur që të mos cenojë direkt vendimmarrjen e opozitës, duke mos komentuar më tej këtë masë kushtëzuese që ka marrë Partia Socialiste, duke deklaruar se i mbetej besnik mesazhit që kishte dhënë më parë, një ditë para çeljes së Kuvendit të ri të dalë nga vota e 28 qershorit.
"Unë kam pasur një parim dhe vetë kur isha në politikë nuk e komentoja vendimmarrjen e opozitës, apo të mazhorancës kur ne ishim në opozitë, aq më shumë sot që jam President. Mesazhin tim e keni pikërisht në momentin e inaugurimit të Parlamentit të ri.
Aty është një koncentrat i gjithçkaje që unë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj. Përgjigjen e keni në mesazhin që unë kam dhënë", - tha Topi. Ndërkohë në atë fjalë përshëndetëse që kreu i shtetit mbajti me këtë rast theksoi qartë se debati politik duhet të bëhet në Kuvend dhe jo jashtë tij, duke i përcjellë një mesazh të qartë opozitës.
"Kuvendi i Shqipërisë është tempulli kombëtar i debatit politik ku ju duhet të zhvilloni angazhimin qytetar dhe kushtetues për të forcuar më tej demokracinë parlamentare pluraliste, për të ballafaquar politikisht vizionet, për të ndarë publikisht përgjegjësitë e respektin pozitë-opozitë, por sidomos për të bashkëbiseduar me njerëzit me përgjegjësinë e madhe politike, për t'u shërbyer atyre në katër vjetët e ardhshme", - shprehej Topi në atë deklaratë.
Gjithashtu ai shprehej se vetëm vullneti i përbashkët mund ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një terren debati profesional e konstruktiv dhe jo në arenë beteje politike shterpë. Për këtë arsye, ai i bënte apel politikës për të dhënë edhe ajo kontributin e saj në këtë institucion.
"Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë", është shprehur Topi në mesazhin e tij dërguar Kuvendit të Shqipërisë