E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Vend kandidat brenda 2010, jemi gati për pyetësorin e KE

 

Administrata shqiptare është e gatshme të nisë punën për t’iu përgjigjur pyetësorit të Komisionit Evropian. Këtë e bëri të ditur dje Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, një ditë pasi ambasadorët e BE-së vendosën të kalojnë për miratim kërkesën e Shqipërisë në mbledhjen e të hënës së Këshillit të BE-së. Sipas Bregut, pyetësori me mbi 2 mijë pyetje do të fokusohet më shumë në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë. Duke informuar lidhur me masat e ndërmarra nga qeveria, ajo tha se në këtë proces janë përfshirë 45 institucione dhe janë ngritur grupet ndërinstitucionale të punës për koordinimin dhe hartimin e përgjigjeve. “Kemi një ide për pyetësorin, por jo një draft të plotë të tij, gjithsesi duke u bazuar në formatet e vendeve të tjera të rajonit, pyetjet fokusohen në kriterin politik dhe ekonomik, çka do të thotë se shumica e pyetjeve do të adresohen në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë. Institucionet që do të kenë ngarkesën më të madhe, përsa i përket plotësimit të pyetjeve të kriterit politik, do të jenë Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti, ndërsa përsa i përket kriterit ekonomik, Ministria e Ekonomisë dhe Financave”, u shpreh Bregu. Duke shpjeguar procesin në të cilën kalon aplikimi i Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, Ministrja e Integrimit, tha se “Këshilli i Ambasadorëve ka vendosur dje në mënyrë unanime që shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim të Shqipërisë të kalojë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të BE-së. Kjo kërkesë do t’i kalojë më pas Komisionit, për të përgatitur një opinion për vendin tonë, një vlerësim sesa Shqipëria ka përmbushur kriteret për të qenë vend kandidat. Besojmë se Shqipëria mund të jetë vend kandidat brenda vitit 2010". Ajo i bëri thirrje opozitës të kthehet në Kuvend, teksa akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se po mban jashtë institucioneve partinë për arsye personale. “Kreu i PS-së Rama po krijon një situatë anormale që startoi pas zgjedhjeve të 29 qershorit, kur idhnia e tij e humbjes së zgjedhjeve, bëri që ai ta zgjedhë dhe përdorë bojkotin vetëm për arsye personale. Them për arsye personale, sepse çdo anëtar i Partisë Socialiste është i bindur që rruga e kryetarit të tyre, jo vetëm që s’ka gjasa t’i sjellë në pushtet, por s’po i lejon të bëjnë as opozitë”, tha më tej Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›