Rama: Deklarata e Oli Rehn u transformua nga pushtetarët
Kryetari i PS, Edi Rama e cilësoi keqinterpretim deklaratën e komisionerit të BE-së, Olli Rehn, lidhur me krizën politike në Shqipëri dhe bojkotin e opozitës. Zoti Rama, partia e të cilit ka kushtëzuar hyrjen në Kuvend me hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit, tha se deklarata e komisionerit Rehn është keqinterpretuar. “Jam i keqardhur që deklarata të tilla, që janë të qarta dhe të lexueshme, transformohen dhe reformohen nga vetë pushtetarët. Në këndvështrimin tim, apeli i Rehn është fare i qartë dhe tregon se kjo shumicë nuk duhet të vazhdojë në rrugën e lënies së përgjegjësisë në supet e opozitës. Opozita e ka marrë përgjegjësinë e vet”, deklaroi Rama. Zoti Rama ngulmoi sërish në plotësimin e kushteve të opozitës për hyrjen në Kuvend. “Bojkoti nuk është një shprehje e normalitetit demokratik, madje është reagimi ndaj mungesës së normalitetit demokratik. Ne jemi gati të hyjmë në Parlament që nesër nëse plotësohen kërkesat tona”, ka shtuar kreu i PS. Dy ditë më parë, komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn i kërkoi opozitës të ndërpresë bojkotin e Kuvendit pasi sipas tij “bojkoti pengon integrimin”. “Në emër të forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar zv.kryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e Parlamentit prej opozitës. Patjetër që ky është një shqetësim që e kam ngritur edhe me opozitën dhe i kam kërkuar asaj që t’i japë fund bojkotit parlamentar, që nuk respekton standardet demokratike evropiane. Debati demokratik duhet të ndodhë brenda Parlamentit”, u shpreh Rehn.