E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Ministria e Brendshme: U prodhuan 250 mijë pasaporta

 

TIRANE - Ministria e Brendshme deklaroi dje se po përmbush gjithnjë e më shumë kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Me një deklaratë për mediat, ky dikaster ka renditur dje disa nga kriteret e përmbushura gjatë muajve të fundit, për të sjellë së shpejti lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Dokumentet e identitetit, janë një nga kriteret që ministria thekson se e ka përmbushur bindshëm, duke shtuar se Shqipëria nisi prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike në korrik 2009. “Për shkak të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet parlamentare të qershorit, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike filloi efektivisht në javën e parë të muajit korrik 2009”, thuhet në deklaratën e dikasterit blu. Por në njoftim theksohet se pavarësisht se procedurat e aplikimit dhe të prodhimit nisën me vonesë, nga fillimi e deri dy ditë më parë kanë aplikuar për pasaporta biometrike 259 089 qytetarë dhe janë shpërndarë 250 908 pasaporta biometrike. Një kriter tjetër i përcaktuar nga udhërrëfyesi dhe që sipas Ministrisë së Brendshme është përmbushur, është edhe menaxhimi i kufijve. Sipas deklaratës për shtyp para dy javësh ka përfunduar instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar dhe brenda 14 ditësh në të gjithë pikat e kalimit kufitar do të përfundojë vendosja e lexuesve optikë të pasaportave biometrike. “Në të gjitha pikat e kalimit kufitar mundësohet në kohë reale lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it. Sistemi TIMS është i ndërlidhur me qendrën operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Sistemi i analizës së informacionit kriminal MEMEX po instalohet dhe do të funksionojë brenda muajit nëntor në të 12 drejtoritë e policisë në qarqe. Ministria tha se po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat kufitare në modelin që përfshin kontrollin e dokumentacionit, kontrollin doganor, fitosanitar etj, si dhe do të nisë funksionimi i kontrollit të kufirit detar brenda muajit dhjetor.    e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›