Ndoka, kundër komisionit për Edi Ramën
Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka ka dalë kundër komisionit për Ramën dhe gjatë fjalës së tij në parlament ka kërkuar të bëhet transparencë për spotet që qeveria i jep mediave pranë saj, duke akuzuar shumicën që po krijon një konflikt social me këtë komision. Ky komision nëse do të ngrihet, në fillim duhet që të ketë një transparencë më të madhe në radhë të parë për spotet qeveritare të cilat kanë pushtuar mediat, ku qeveria ka një tendencë për blerjen e këtyre mediave dhe ajo që është më e rrezikshmja mirë që kanë blerë kohën televizive për vete por po paguajnë këto media që tia ngushtojnë ose të përjashtojnë partitë e tjera.
Të ketë një transparencë të madhe me Kinostudion e cila është kthyer në shesh ndërtimi ku qeveria e konsideron si pronë të veten pa leje ndërtimi, pa transparencë, thjeshtë me një urdhër lirohen ambiente nxirren të tjerë nga këto ambiente dhe ju jepen mediave të cilat janë afër qeverisë sot, ka theksuar Ndoka. Demokristiani Ndoka akuzoi të dyja palët si kryeministrin ashtu edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës që sipas tij janë të përfshirë në afera korruptive, ndërsa akuzoi shumicën se i ka mbyllur gojën prokurorisë dhe gjykatave. Ju tashmë i keni mbyll gojën Prokurorisë e keni bërë të hesht gjykatën me këto procedura të cilat nuk i respektoni në institucioni më të shenjtë në Kuvendin e Shqipërisë. Me ato procedura i keni mbyllur aferat e juaja korruptive. Do tju bëja thirrje edhe kryeministrit që të tregohet më gjakftohtë, që këto nisma revolucionare, besoj se nuk kanë as moralin as sensin juridik, nxisin një konflikt social dhe nuk do zgjidhnin ato pazare, që tashmë janë të prishura mes PD dhe PS, e cila ka bojkotuar parlamentin, nënvizoi Ndoka. Sipas tij demokracia shqiptare në ditët e sotme ndodhet në një pozicion të rrezikshëm, me media të detyruara nga njëra anë nga pushteti i socialistëve në Bashki dhe nga ana tjetër me qeverisjen.