E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka majtas, me vota të djathta

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Anton Gurakuqi, duke iu përgjigjur interesimit të medieve në lidhje me deklarimet e bëra nga ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili është shprehur i gatshëm të bëjë koalicion me LSI dhe parti të tjera të majta në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës deklaron se “Qëndrimi dhe deklaratat e individit Nard Ndoka nuk kanë asgjë të përbashkët me qëndrimin dhe vijën politike të Partisë Demokristiane të Shqipërisë. E kemi thënë edhe më parë se zoti Ndoka është një politikan aventurier, pa bosht, që ka pasur një mision të qartë: të shkatërrojë vlerat demokristiane. Me deklarata të tilla, Nard Ndoka, po tregon qartazi se nuk ka asnjë lloj respekti për mijëra zgjedhës të zonës së tij elektorale, të cilët i dhanë mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, pasi u paraqit si përfaqësues i koalicionit të qendrës së djathtë. PDK duke u distancuar nga deklarata të tilla sqaron opinionin publik se zoti Ndoka prej disa muajsh është përjashtuar nga radhët e demokristianëve dhe nuk është asgjë më shumë sesa një deputet në prag të pensionit politik. Sot Ndoka është pjesë e korit zhurmues “Braçe-Balla”. PDK i bën thirrje PD-së dhe partive të tjera të qendrës së djathtë që në muajin shtator të organizojnë një tryezë ku të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore dhe mënyrën se si ky koalicion do të paraqitet në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Gjykojmë se duke filluar që nga muaji i ardhshëm duhen analizuar me kujdes të gjitha qëndrimet e mbajtura nga individë të caktuar brenda mazhorancës, të cilët, edhe pse kanë hyrë në Parlament me votat e zgjedhësve të djathtë, kanë shfaqur prirje për të bashkëpunuar me të majtën. PDK gjykon se çdo vonesë në diskutimin në një tryezë të problemeve që lidhen me zgjedhjet e ardhshme nuk i shërben aspak qëllimit tonë të përbashkët: fitores bindëse të 2009-ës”.
Ky lajm është publikuar: 28/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›