Ndoka pranon t’i kthejë KQZ-së paratë e fushatës
Nard Ndoka është i pari ndër kryetarët e pesë partive të vogla që pas mbetjes jashtë Parlamentit të ri pranon të kthejnë paratë e marra nga buxheti i shtetit për fushatë. Megjithatë, ai e quan të pakët kohën njëmujore që u është vënë në dispozicion subjekteve të vogla për të kthyer paratë në KQZ. “Fondi që ka pasur në dispozicion PDK-ja mund të kthehet, afati i përcaktuar në kohë është një afat minimal. Flitet ndoshta për parti politike që kanë mundësi të mëdha financiare, po gjithsesi, PDK-ja do t’u nënshtrohet të gjitha rregullave ligjore për t’i përmbushur ato në afatet kohore”, - është shprehur Ndoka. Deri në fund të muajit, pesë nga partitë që nuk mundën të hynin në Parlamentin e ri duhet të kthejnë në KQZ 12.7 milionë lekë. Në të kundërt, nuk mund të përfitojnë para për zgjedhjet e ardhshme. Një ditë më parë një tjetër kryetar i një prej partive që duhet t’i nënshtrohen këtij detyrimi, Neritan Ceka, deklaroi se është e pandershme të kthejë paratë pas humbjes së zgjedhjeve.
8 Gusht 2009