E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: “Shqiptarët po paguajnë haraçin e vizave për shkak të paaftësisë së Berishës”



Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha si shkaktaren e mospërfshirjes së Shqipërinë në “Shengenin” ballkanik. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se qytetarët shqiptarë po paguajnë haraçin e mungesës së liberalizimit të vizave vetëm për shkak të paaftësisë së qeverisë “Berisha”. Duke iu referuar dhe deklaratës së djeshme të zëvendësshefit të Departamentit suedez për BE-në, Lars Wahlund, Balla tha se mungesa e reformave e la Shqipërinë jashtë Shengenit. Sipas tij, e gjithë përgjegjësia bie mbi kreun e qeverisë, Sali Berisha. Madje Balla ka garantuar se Partia Socialiste, me pjesëmarrjen e saj në Parlamentin e ardhshëm, do të monitorojë përmbushjen e kritereve nga qeveria.
Deklarata
“Shqiptarët po paguajnë haraçin e vizave për shkak të paaftësisë së qeverisë “Berisha”. Presidenca suedeze e Bashkimit Europian u shpreh se arsyeja pse Shqipëria mbeti jashtë liberalizimit të vizave është moskryerja e reformave të kërkuara dhe dështimi i realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve demokratike. Ky është një lajm i keq për të gjithë qytetarët e thjeshtë shqiptarë, të cilët do të vazhdojnë të paguajnë haraçin e vizave për shkak të një qeverisjeje të paaftë. Qytetarët e thjeshtë shqiptarë do të vazhdojnë të rropaten prapa hekurave të ambasadave sepse pazaret e maskarenjve dhe hajdutëve të votave po e pengojnë këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë”, - është shprehur Balla. Ai garantoi se Partia Socialiste do të përdorë mekanizmat parlamentare duke monitoruar qeverinë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin sa më parë të vizave me vendet e Bashkimit Europian. “Partia Socialiste, në respekt të votës dhe vullnetit të shumicës së shqiptarëve, si partia më e votuar më 28 qershor, pavarësisht kontekstit politik të krijuar, do të përdorë mekanizmat parlamentarë për monitorimin e përmbushjes së kritereve. Gjithashtu, rideklarojmë pozicionin tonë të palëkundur tashmë, se Partia Socialiste, së bashku me të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, do të përdorë çdo mjet demokratik për t’i shkurtuar ditët kësaj qeverisjeje ilegjitime që s’mund t’i çojë shqiptarët drejt BE-së për shkak të korrupsionit e paaftësisë”, - është shprehur Balla.
Vizat
Deklarata e Ballës vjen fill pas deklaratës së bërë nga zëvendësshefi i Departamentit suedez për BE-në, Lars Wahlund, në një intervistë për BBC-në dy ditë më parë. Ai u shpreh se arsyeja pse disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur jashtë liberalizimit të vizave është moskryerja e reformave të duhura. “Të marr Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Atyre u janë dhënë të njëjtat kritere kryesore, e njëjta ‘hartë e rrugës’, sikurse edhe Serbisë, Malit të Zi dhe të tjerëve. Ata do të duhej të bënin këto reforma dhe ekspertët e Komisionit ishin atje dhe ata nuk i kishin kryer”, - është shprehur Wahlund. Nga procesi i liberalizimit të vizave përfituan Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërsa mbeti jashtë Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›